Paradite moti do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe periudha me diell, ndërsa gjatë orëve të pasdites priten paraqitje lokale të reshjeve të shkurtra të shiut, bubullimave dhe erë të përforcuar nga drejtimi perëndimor, e cila në disa momente do të arrijë shpejtësi mbi 80 kilometra në orë, informojnë nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike.
Temperatura minimale do të lëvizë nga 7 deri në 13 gradë, ndërsa ajo maksimale do të arrijë nga 18 deri në 31 gradë Celsius, përcjell TV21.
Në Shkup moti do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe periudha me diell, ndërsa pasdite do të ketë kushte për reshje lokale të shkurtra shiu, bubullima dhe erë të përforcuar. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtime të ndryshme. Temperatura minimale do të zbresë deri në 10 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë deri në 28 gradë.
Sipas parashikimeve, të mërkurën moti do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe periudha me diell, me kushte për reshje të dobëta lokale. Nga e premtja dhe gjatë fundjavës, paradite moti do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe periudha me diell, ndërsa pasdite priten reshje lokale të shkurtra shiu, bubullima dhe erë e përforcuar.
Në disa vende proceset do të jenë më intensive në formë moti të lig me reshje intensive shiu, shkarkime të fuqishme elektrike, erë të fortë dhe kushte për paraqitje të breshërit. Nesër do të fryjë erë e përforcuar deri e fuqishme nga drejtimi perëndimor, me shpejtësi që herë pas here do të kalojë mbi 80 kilometra në orë.
