Izraeli dhe Libani zgjasin armëpushimin me 45 ditë

TË FUNDIT

Izraeli dhe Libani kanë rënë dakord për zgjatjen me 45 ditë të armëpushimit të brishtë mes dy vendeve, pas negociatave dyditore të zhvilluara në Uashington nën ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara.

Lajmi u konfirmua nga Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili bëri të ditur se synimi i bisedimeve është arritja e një paqeje të qëndrueshme dhe garantimi i sigurisë përgjatë kufirit mes Izraelit dhe Libanit.

“Shpresojmë që këto diskutime të ndihmojnë në ndërtimin e paqes afatgjatë dhe respektimin e sovranitetit të të dy vendeve”, deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, citon BBC.

Armëpushimi fillestar ishte shpallur më 16 prill nga presidenti amerikan Donald Trump, por pavarësisht marrëveshjes, përplasjet mes ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut kanë vijuar pothuajse çdo ditë.

Vetëm gjatë kësaj jave, Ministria e Shëndetësisë në Liban raportoi se 22 persona, mes tyre tetë fëmijë, u vranë nga sulmet ajrore izraelite në jug të vendit.

Sipas autoriteteve amerikane, në qershor do të rifillojë edhe faza politike e negociatave, ndërsa më 29 maj në Pentagon pritet të mbahet një takim i ri për çështjet e sigurisë me delegacione ushtarake nga Izraeli dhe Libani.

Ambasadori izraelit në SHBA, Yechiel Leiter, i cilësoi bisedimet si “të sinqerta dhe konstruktive”, ndërsa kryeministri libanez Nawaf Salam tha se Libani do të kërkojë mbështetje më të gjerë ndërkombëtare dhe arabe për të forcuar pozitat në negociata.

Konflikti mes Izraelit dhe Hezbollahut u përshkallëzua më 2 mars, pas sulmit të përbashkët të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit. Që prej asaj kohe, jugu i Libanit ka qenë objekt i bombardimeve intensive, ndërsa Hezbollah ka reaguar me sulme raketore dhe dronë ndaj objektivave izraelite.

Situata humanitare në Liban mbetet e rëndë. Mbi një milion njerëz janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre, kryesisht nga jugu i vendit dhe periferitë jugore të Bejrutit, zona ku Hezbollah ka ndikim të madh.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë libaneze, deri tani janë vrarë të paktën 2 mijë e 896 persona në Liban, ndërsa Izraeli raportoi 18 ushtarë dhe katër civilë të vrarë gjatë konfliktit.