Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë kryesisht i vranët, me reshje të herëpashershme shiu, të cilat lokalisht do të jenë më të dendura, me mbi 15 litra shi për metër katror.
Do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare nga drejtimi verilindor. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 6 deri në 11 gradë, ndërsa maksimalet nga 12 deri në 17 gradë Celsius.
Në Shkup pritet mot kryesisht i vranët, me reshje të herëpashershme shiu dhe erë të lehtë nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të zbresë në 7 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë deri në 16 gradë Celsius.
Sipas Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), moti i vranët dhe më i freskët me reshje shiu do të vazhdojë edhe nesër. Lokalisht priten reshje më të dendura, me mbi 20 litra shi për metër katror, veçanërisht gjatë ditës së nesërme.
Nga e mërkura deri në fillim të fundjavës, moti do të jetë i qëndrueshëm dhe i thatë, me vranësira të ndryshueshme, të cilat gradualisht do të pakësohen drejt së shtunës. Era do të fryjë nga drejtimi verior, ndërsa do të jetë më e theksuar përgjatë luginës së Vardarit.
