Fiumicino u zgjua nën një valë të fortë të motit të keq. Shi i rrëmbyeshëm, stuhi dhe një breshër veçanërisht i fortë goditën bregdetin në zonën e Ostias dhe Piana del Sole në Itali, duke zbardhur pjesë të rrugëve sikur të ishte borë. Problemet prekën edhe zonën e aeroportit “Leonardo da Vinci”, ku përkeqësimi i motit e bëri më të vështirë mëngjesin për pasagjerët dhe punonjësit.
Në fakt, situata ishte paralajmëruar që më parë pasi parashikoheshin “reshje të shpërndara, edhe në formë rrebeshi apo stuhie, sidomos në zonat bregdetare”, duke filluar nga mëngjesi dhe për 12-18 orët në vijim.
Faza më intensive e motit të keq goditi sidomos zonën bregdetare. Sipas raportimeve lokale, mes Ostia dhe Fiumicino-s breshëri ra me forcë, duke u grumbulluar në tokë dhe duke krijuar një skenë të pazakontë për muajin mars. Mediat lokale raportuan se pistat e aeroportit të Fiumicino-s u prekën nga uji dhe breshëri, ndërsa zona bregdetare u “zbardh” nga reshjet e forta në orët e para të mëngjesit.
Moti i keq shkaktoi edhe disa infiltrime uji në Terminalin 1 dhe 3 të aeroportit të Fiumicinos. Ekipet e ndërhyrjes, të përbëra nga teknikë, inxhinierë dhe personel i aeroportit, ndërhynë menjëherë dhe rikthyen shpejt situatën në normalitet. Pavarësisht problemeve, operimi i aeroportit dhe fluturimet mbetën të rregullta.
