Moroishta e Strugës e përmbytur! Banorët ankohen: Nuk na viziton askush, kemi lajmëruar disa herë!

TË FUNDIT

Fushat e mbushura me ujë, kanalet e mbushur, rrugët vërshonin nga uji, shtëpitë afër vërshimeve të rrezikuara, kjo është situata momentale në fshatin Moroishtë të Strugës.

Kjo gjendje ka disa ditë që po mbizotëron por më e trishtë për banorët ka qenë dita e djeshme kur siç thonë ata nga momenti në moment kanë pritur që uji të hyjë brenda shtëpive të tyre si para 4 viteve.

Kjo ndodh çdo vit thonë banorët por ata nuk i viziton askush për të parë dëmet që shkaktohen dhe për të vlerësuar rrezikun që u kanoset.

 “Kemi një problem të madh, kemi lajmëruar disa herë, por askush deri më tani nuk ka ardhur për të parë se çfarë ndodh me këtë ujë. Çdo vit kemi problemet e njëjta, jemi dy gra në shtëpi vetëm dhe investojmë, vetë rrugën, vetë shtëpinë dhe çdo vit ne lajmërohemi, dhe asnjëherë askush nuk ka ardhur të shohë se çfarë bëhet këtu me këtë ujë”, tha një banore.

Ajo thotë se druajnë që do t’ju ndodhë sikur para katër viteve kur uji hyri në shtëpinë e tyre.

“Më ka ndodhur para 4 viteve më hyri uji në korridor mu mbush korridori me ujë, lajmërova edhe atëherë askush erdhi të shohë se çfarë po ndodhë”, shtoi një tjetër banore.

Kryetari I Bashkësisë Lokale Aco Popovski thotë se çdo vit përballen me problem të kësaj natyre.

 “Çdo herë ne ballafaqohemi me problem të mëdha me përmbytje, uji na hynë nëpër oborre, nëpër shtëpi, jemi zonë e ulët, kanalet nuk janë të kalueshme  nuk pastrohen rregullisht ne i pastrojmë vetë deri ku mundemi”, theksoi Aco Popovski – Kryetar i Bashkësisë Lokale.

Vërshime ka pasur edhe në disa pjesë të Strugës, sidomos gjatë rrugëve nëpër lagjet e qytetit thonë banorët, por nuk janë evidentuar dëme të mëdha materiale.