Ish-shefi i Ferrari, Luca di Montezemolo, i cili drejtoi kompaninë nga viti 1991 deri në vitin 2014, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj modelit të parë elektrik të prodhuesit italian, duke paralajmëruar se marka rrezikon ta vërë në pikëpyetje statusin legjendar me futjen e automjeteve elektrike.
Modeli i parë plotësisht elektrik i Ferrari-t ka shkaktuar reagime të forta në publik dhe te adhuruesit e markës automobilistike, ndërsa ndër kritikët më të zëshëm është edhe ish-presidenti i kompanisë, Montezemolo, i cili tha se është i zhgënjyer nga modeli i ri i Ferrari-t, “Luce”.
Sipas tij, kompania po hyn në një periudhë të rrezikshme dhe automjetet elektrike mund ta vënë në pikëpyetje identitetin e markës.
“Nëse them gjithçka që mendoj vërtet, do t’i bëja dëm kompanisë. Rrezikojmë ta shkatërrojmë legjendën dhe më vjen vërtet keq për këtë. Shpresoj që nga automjeti të hiqet simboli i njohur i markës, ‘kali’, që është një nga shenjat më të rëndësishme dalluese të Ferrari-t”, ka deklaruar Montezemolo.
Përveç kritikave ndaj modelit elektrik, Montezemolo u ndal në mënyrë indirekte edhe te dizajni i modelit Luce, duke e përshkruar si një makinë që as kinezët nuk do ta kopjonin.
Ferrari e prezantoi zyrtarisht modelin si automobilin e tij të parë elektrik të prodhuar në seri dhe u mundëson blerësve personalizim shtesë.
Megjithëse drejtuesit e Ferrari-t besojnë se modelet elektrike përfaqësojnë të ardhmen e veturave sportive luksoze, reagimet e adhuruesve tradicionalë të markës mbeten të ndara. Një pjesë e publikut e mbështet transformimin, ndërsa të tjerë frikësohen nga humbja e karakterit të njohur të markës.
