Mjeku nga Prilepi pozitiv me Kovid-19, të gjithë psikiatrit nga Demir Hisari në izolim

TË FUNDIT

E gjithë familja e mjekut nga Prilepi janë pozitiv me koronavirus.

Edhe pse e ka ditur këtë, ai megjithatë ka kryer obligimet e tij të punës në Spitalin psikiatrik të Demir Hisarit.

Është konfirmuar se një mjek psikiatër i cili ka punuar në Spitalin psikiatrik në Demir Hisar, ai është asimptomatik, megjithatë ka amnezë familjare pozitive epidemiologjike. Është bërë test dhe ai ka rezultuar pozitiv, ndërsa duke pasur parasysh se ka qenë në komunikim me kolegë, janë bërë anketa epidemiologjike dhe janë marrë masa për vetë-izolim, tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

I pyetur prej TV21, a do të ndërmerren masa dhe sanksione për personat përgjegjës të spitalit, ministri Filipçe tha se nëse konfirmohet përgjegjësi, do të veprohet njëjtë si në rastet paraprake në Shkup dhe Ohër.

Për shkak të kontaktit paraprak me kolegë nga spitali, janë ndërmarrë këto masa. Deri më tani nuk kishte informacione se ndoshta është diçka e rrezikshme, por nëse vërtetohet, atëherë do të veprojmë si në rastet paraprake në Strugë, Ohër. Inspektorati shtetërorë shëndetësor do ta shqyrtojë rastin, tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Ministri deklaroi se bashkë me psikiatrit e Shkupit e kanë riorganizuar punën e spitalit dhe deri në fund të vetë-izolimit të të punësuarve, do të angazhohen mjekë të tjerë nga Manastiri dhe Prilepi, kurse nëse ka nevojë do të përfshihen edhe psikiatër nga Ohri, Kërçova, Gostivari dhe Tetova. Do të mbyllet Qendra për shëndet mendor në Prilep, me të cilën udhëheq spitali në Demir Hisar.

Në spitalin psikiatrik në Demir Hisar ka mbi 300 pacientë dhe po aq të punësuar.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë regjistruar 30 raste të reja me koronavirus në vend. Më shumë ka në Shkup-14, pastaj në Kumanovë-8, Prilep-9 dhe Kriva Pallankë-1. Numri i përgjithshëm i të prekurve ka arritur 384 persona.