Qeveria e miratoi propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë për t’i shpërblyer mjekët amë me nga 30 denarë, nëse arrijnë të vaksinojnë 70% të pacientëve të tyre. Ky rekomandim doli nga Ministri Venko Filipçe si masë për të nxitur vaksinimin për mbrojte nga Covid-19. Masa hyn menjëherë në fuqi, ndërsa bonusin do ta marrin në fillim të verës së vitit të ardhshëm. Ndonëse pati reagime nga shoqatat e mjekëve, se propozimi është i padenjë, madje edhe nënvlerësues, Filipçe thotë se vetëm mjekët amë janë ata që janë më afër qytetarëve dhe mund t’i bindin për imunizim.
“Është shumë me rëndësi që të kuptojnë mjekët amë që kjo është shumë me rëndësi të aplikohet, se është e rëndësishme për qytetarët, pacientët, shtetin dhe është e rëndësishme për sistemin shëndetësor. Kështu që mund të nis menjëherë, ka shkallë të ndryshme të përfshirjes me vaksinim, te mjekë të ndryshëm, te disa mjekë, nëpër disa qytete bile është arritur ajo përqindje”, tha Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.
Në këtë formë dhe me apele ministri i Shëndetësisë vlerëson se do të ngritet vetëdija e qytetarëve për vaksinim anti-covid. Ai tha se nuk po mendon për masa tjera shtrënguese ose nisma tjera për të nxitur vaksinimin, por nuk përjashtohet mundësia që në të ardhmen vaksinimi të bëhet i detyrueshëm.
“Do ta lëmë për një kohë të shohim se a do të ndihmojë komunikimi dhe apelet e mjekëve amë. Absolutisht masë shtesë në ndonjë formë që kjo vaksinë të jetë e detyrueshme në pajtim me përvojat që do t’i japin edhe shtetet e tjera në periudhën në vijim, as te ne nuk është e përjashtuar mundësia, mirëpo derisa të shohim dhe kontrollojmë se çfarë rezultatesh do të japin këto masa, do të ngelemi në këto masa”, pohoi tha Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.
Ministria e Shëndetësisë nuk po mendon për orë policore, ndërkaq Qeveria ia ka hedhur poshtë rekomandimin për vaksinim të detyrueshëm të stafit shëndetësor dhe sektori publik. Sipas statistikave të fundit që kanë nxjerr nga kjo Ministri, me dy doza të ndonjërës nga vaksinat për mbrojtje nga virusi korona janë vaksinuar 38% e popullsisë së përgjithshme, ndërsa 47% e popullsisë së rritur.
