Miratohen masat e reja antiCOVID në Kosovë, nga nesër orë policore

TË FUNDIT

Në mbledhjen e 32-të me radhë, Qeveria e Kosovës miratoi masat e reja antiCOVID.

Kryeministri Albin Kurti, tha se janë të detyruar që paralelisht me vaksinimin masiv të marrim edhe masa për të parandaluar trendin e rritjes.

“Jemi të detyruar ta shtyjmë vitin e ri shkollor, për ta zvogëluar numrin e infektimeve duhet ta zvogëlojmë qarkullimin e njerëzve”, tha Kurti.

Tutje, Kurti tha se beson që këto masa do të jenë të suksesshme, si atëherë në muajin qershor.

Kurti ngushëlloi familjet e gjithë viktimave të COVID-19 dhe bëri thirrje për kujdes të shtuar, sidomos të rinjve, shkruan rtv21.tv

Ndërkaq ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se varianti delta i COVID-19 po prekë moshat e reja, pasi ata në moshë të shtyrë janë vaksinuar tashmë.

Ai kërkoi nga Qeveria që masat e reja të hyjnë në fuqi nesër, më datë 29.08.2021.

Masat e reja:

– Shtyhet fillimi i vitit të ri shkollor deri më 13 shtator

– Gastronomia do të veprojë vetëm në ambiente të hapura dhe deri në orën 21:30

– Masa e kufizimit të lëvizjes (ora policore) nga ora 22:00 deri në 05:00.

– Të gjithë qytetarët, pavarësisht shtetësisë, obligohen të paraqesin në hyrje dëshminë e vaksinimit, testin PCR të 72 orëve të fundit ose atë serologjik të 30 ditëve të fundit. Në të kundërtën do të vetizolohen për 7 ditë./21Media