Për të dy ligjet u votua veçmas dhe për secilin prej tyre u zhvillua debat i veçantë. Ligji për shërbimin gjyqësor u miratua me 61 vota “pro” dhe 12 “kundër”, ndërsa Ligji për shërbimin e prokurorisë publike mori mbështetjen e 62 deputetëve, ndërsa 13 votuan kundër.
Të dy ligjet u miratuan pa mbështetjen e deputetëve të LSDM-së, të cilët vlerësojnë se këto nuk janë ligje reformuese. Sipas deputetëve të opozitës, ato nuk do të sigurojnë pavarësi, paanshmëri dhe përparim në shërbimin gjyqësor dhe atë të prokurorisë publike.
“Dhe në vend që të forcohet pavarësia e shërbimit të prokurorisë publike, në disa dispozita të vetë projektligjit ruhen mekanizmat përmes të cilëve organet e pushtetit ekzekutiv kanë dhe vazhdojnë të kenë ndikim në punësim, avancim, mobilitet, organizimin e punës, menaxhimin e burimeve njerëzore dhe miratimin e akteve nënligjore. Kjo do të thotë se, në vend të pavarësisë dhe autonomisë së shërbimit të prokurorisë publike, pushteti do të vazhdojë, madje edhe më shumë, të ketë ndikim mbi këtë shërbim”, tha Jovanka Trençevska – deputete e LSDM-së.
Sipas deputetit Prenxhov, për të dy ligjet është zhvilluar debat publik dhe të gjithë ata që ishin të ftuar kishin dy vërejtje kryesore, të cilat janë korrigjuar në këto projektligje. E para ishte që të punësuarve në këto sektorë të mos u ulej asnjë denar nga pagat dhe të ardhurat e tyre. E dyta ishte që të mos e humbnin statusin e nëpunësve gjyqësorë, përkatësisht të nëpunësve të prokurorisë publike.
“I miratuam të dyja çështjet kyçe. Asnjë nëpunës nuk do të ketë pagë më të ulët dhe çdo nëpunës i prokurorisë publike, përkatësisht çdo nëpunës gjyqësor, do ta ruajë të njëjtin status që ka pasur deri më tani. Po, është e vërtetë se i korrigjuam këto dy çështje. Kjo duhet të pranohet dhe për këtë duhet të jepet mbështetje”, u shpreh Ljupço Prenxhov – deputet i VMRO-DPMNE-së.
Ndryshe, në kuadër të së njëjtës seancë të 108-të u miratuan edhe Ligji për Drejtuesit e Lartë, Ligji për Shfrytëzimin e Energjisë nga Burimet e Ripërtëritshme dhe Ligji për Armët. Ndërsa votimi për Projektligjin për procedura gjyqësore për zgjidhjen e kontesteve civile do të caktohet në një datë tjetër.
