Mickoski: Jemi të gatshëm në çdo kohë të dalim në zgjedhje dhe të fitojmë! BDI: Le të shpërndahet Kuvendi, le të caktohet data, le të shkojmë në zgjedhje

TË FUNDIT

Kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, deklaroi se janë të gatshëm të përballet me zgjedhje të parakohshme parlamentare nëse opozita i kërkon ato. Ai tha se është i gatshëm për takim liderësh, përcaktimin e një date dhe organizimin e zgjedhjeve.

“Mandati ynë është për katër vjet dhe për një periudhë të tillë kemi marrë mbështetjen e qytetarëve që të realizojmë reformat. Por, nëse kemi një sfidë nga opozita, natyrisht që nuk do të ikim si frikacakë nga zgjedhjet. Përkundrazi, ne jemi të gatshëm në çdo kohë të dalim në zgjedhje dhe t’i fitojmë ato”, deklaroi Mickoski në një intervistë për TV Sitel.

Reagimi nga Bashkimi Demokratik për Integrim ishte i menjëhershëm. Nga BDI-ja e përshëndetën deklaratën e kryeministrit, duke theksuar se opozita e pranon ofertën dhe kërkon që ajo të shndërrohet menjëherë në veprim konkret.

“E kërkojmë. Më në fund edhe kryeministri e ka kuptuar se kjo gjendje është e paqëndrueshme dhe se vendi ka nevojë për një mandat të ri politik”, thuhet në reagimin e BDI-së.

BDI kërkon që, nëse oferta e Mickoskit është serioze, pa vonesa të fillojnë procedurat për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Prandaj, BDI kërkon që deklarata e kryeministrit të shndërrohet menjëherë në veprim. Kërkojmë që brenda ditëve të përcaktohet afati më i shpejtë kushtetues, të fillojnë përgatitjet zgjedhore dhe qytetarëve t’u jepet mundësia të vendosin për drejtimin e vendit. Nëse oferta e kryeministrit është serioze, nuk ka arsye për vonesa, arsyetime apo kalkulime politike. Opozita e ka dhënë përgjigjen e saj. BDI është e gatshme. Le të shpërndahet Kuvendi. Le të caktohet data. Le të shkojmë në zgjedhje”, deklaroi BDI.

Mickoski, nga ana tjetër, ka përsëritur se qëndrimi i tij mbetet se Qeveria ka marrë mandat katërvjeçar dhe se zgjedhjet e rregullta parlamentare priten në vitin 2028. Megjithatë, ai theksoi se në rast të kërkesës së opozitës, VMRO-DPMNE nuk do t’i shmanget zgjedhjeve të parakohshme.