Roberto Carlos më në fund zbulon nëse është konvertuar në Islam: “Di shumë për këtë fe…”

TË FUNDIT

Legjenda braziliane e futbollit, Roberto Carlos ka komentuar në një intervistë ekskluzive pretendimet se është konvertuar në Islam, përcjell TV21. Bashkëshortja e ish-mbrojtësit të njohur, Suhaila Al-Tahiri, është myslimane, ndaj dje u përhap me shpejtësi lajmi se edhe Carlos kishte përqafuar Islamin. Megjithatë, Carlos i ka mohuar këto informacione, duke theksuar se ka respekt të madh për myslimanët, por se ende nuk është konvertuar në Islam.

“Jo, ende nuk jam konvertuar, por po mësoj pak nga pak dhe di shumë për Islamin, për atë se çfarë do të thotë të jesh mysliman. Unë i përkas një feje tjetër dhe është folur shumë për këtë çështje, se jam mysliman. Megjithatë, kjo nuk është e vërtetë ende. Duhet të prisni. Nëse ndodh diçka, por kjo ende nuk është e vërtetë, unë do të jap një intervistë dhe do ta them”, deklaroi Carlos.

Edhe bashkëshortja e tij foli për këtë temë, duke thënë se dëshiron t’u tregojë njerëzve se çfarë është në të vërtetë Islami dhe se ajo e konsideron atë një fe të mirë.

“Unë jam marokene dhe feja ime është Islami. Më pëlqen t’u tregoj dhe t’i mësoj njerëzit përreth meje për fenë time. Falë Zotit, jam myslimane dhe më pëlqen t’i tregoj grupit që është me mua se çfarë do të thotë feja jonë. Në botën ku jetojmë sot, me gjithë këto luftëra dhe probleme mes shteteve, unë u shpjegoj se Islami është një fe e mirë dhe se ne nuk jemi ashtu siç paraqitemi në rrjetet sociale”, tha ajo.

Ajo shtoi se Roberto Carlos di shumë për Islamin, pasi gjatë karrierës së tij ka jetuar dhe luajtur edhe në vende me shumicë myslimane. 53-vjeçari gjatë karrierës ka luajtur për Interin, Real Madridin, Fenerbahçen, Corinthians, Anzhin dhe Delhi, ku edhe e përfundoi karrierën si futbollist, si dhe për disa klube braziliane. Si trajner, ai ka punuar te Anzhi, Sivasspor, Akhisarspor dhe Delhi në Indi, ku i dha fund edhe karrierës së tij profesionale në futboll.