Miratimi i Speciales – edhe një mirënjohje nga SHBA-të

TË FUNDIT

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kanë zhvilluar sot biseda telefonike me zëvendës ndihmës sekretarin e shtetit të SHBA-së, Hoyt Brian Yee, i cili edhe një herë ka përsëritur se Uashingtoni ka mirëpritur vendimin e djeshëm për formimin e Gjykatës Speciale.

Yee, sipas komunikatave nga kabinetet e presidentes dhe kryeparlamentarit, ka theksuar se SHBA-të do të vazhdojnë të përkrahin Kosovën në zhvillimin e saj demokratik dhe në rrugën e integrimeve.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga zhvilloi një bisedë telefonike me zëvendës ndihmës sekretarin e shtetit të SHBA-së, zoteri Hoyt Yee, në vazhdimësi të përpjekjeve të institucioneve të Kosovës për të përmbushur obligimet ndërkombëtare.

Presidentja Jahjaga dhe zotëri Yee theksuan rëndësinë e votimit të Gjykatës Speciale në Kuvendin e Kosovës, që adreson akuzat nga raporti i Këshillit të Evropës, por që njëkohësisht e thekson përkushtimin e popullit dhe të institucioneve të Kosovës për drejtësi. Të dy bashkëbiseduesit theksuan se me miratimin Gjykatës Speciale ne Kuvend, Kosova po tregon përkushtimin e saj për përmbushjen e obligimeve të marra ndërkombëtare dhe përgjegjshmëri shtetërore.

Presidentja Jahjaga dhe zëvendës-ndihmës sekretari Yee biseduan edhe për përparimin në proceset e integrimeve evropiane, në veçanti përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave dhe nënshkrimin e MSA-së, vazhdimin e konsolidimit ndërkombëtar të vendit dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare si dhe forcimin e sundimit të ligjit dhe të rendit në Kosovë, përmes thellimit të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe të ekstremizmit.

Presidentja Jahjaga ritheksoi rëndësinë që SHBA-të kanë për Kosovën dhe njëkohësisht edhe për rajonin dhe vlerësoi se vazhdimi i mbështetjes amerikane për vendin do të ndihmojë edhe stabilitetin por edhe sigurinë jo vetëm në Kosovë.

Zëvendës ndihmës sekretari i shtetit, Hoyt Yee tha se SHBA-ja mirëpret vendimin e Kuvendit të Kosovës për Gjykatën Speciale.

Ai tha se SHBA do të jetë përkrah Kosovës në proceset e rëndësishme të zhvillimit demokratik të saj si dhe do ta mbështes në rrugën e integrimeve. Ai i inkurajoi institucionet e Kosovës që të punojnë më shumë në fushën e sundimit të ligjit dhe të rendit, përmes vazhdimit të reformave të brendshme që ndihmojnë në promovimin e zhvillimit ekonomik dhe të investimeve të huaja”, thuhet në komunikatën nga kabineti i Jahjagës.

Në njoftimin pas bisedës së Veselit me zyrtarin e State Departamentit amerikan Yee, thuhet:

“Z.Yee e përgëzoi kryetarin Veselin për lidershipin e treguar në udhëheqjen e procesit parlamentar të ndryshimeve kushtetuese dhe formimit të gjykatës speciale.

Më tutje z.Yee theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë ti qëndrojnë pranë shtetit të Kosovës në të gjitha proceset e tij të integrimeve evropiane, zhvillimit ekonomik dhe në formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës..

Kryetari Veseli falënderoi z.Yee për përkrahjen e vazhdueshme dhe të pakursyer që SHBA-të po i japin Kosovës duke shprehur besimin se Kosova dhe SHBA-të do të vazhdojnë të ecin së bashku në të gjitha sfidat e vendit tonë”.