Burime diplomatike tregojnë për TV21 se në disa takime i kanë sugjeruar Bujar Osmanit që pas mandatit si Ministër i Punëve të Jashtme ta shqyrtojë mundësinë që të kandidojë për Sekretar të Përgjithshëm të NATO-s.
Ndonëse dje TV21 nuk mori konfirmim ose mohim nga MPJ për këtë, sot Osmani u përgjigj duke konfirmuar se ka rekomandime për të drejtuar organizata ndërkombëtare, por pa treguar konkretisht cilat.
“Është e vërtetë se kam disa rekomandime për disa organizata ndërkombëtare, por tani jam i fokusuar në angazhimet e mia politike në vend” tha Osmani për TV21.
Mbetet për t’u parë nëse Osmani do të tërhiqet nga karriera politike vendore dhe të kalojë në atë ndërkombëtare nëse nuk arrin të bëhet President i RMV-së.
Përndryshe, nuk ka asnjë proces formal për zgjedhjen e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s. Anëtarët e Aleancës tradicionalisht arrijnë një konsensus se kush duhet të marrë detyrën e Sekretarit Gjeneral. Kjo procedurë shpesh zhvillohet përmes kanaleve diplomatike joformale, por edhe mund të kontestohet.
Aktualisht Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s është Jens Stoltenberg, pasi më 4 korrik 2023 aleatët ranë dakord për t’ia zgjatur mandatin edhe për një vit, deri më 1 tetor 2024.
