Tesla me autopilot përplaset në një shtëpi në SHBA

TË FUNDIT

Një veturë Tesla Model 3, e cila po lëvizte me sistemin autopilot, është përplasur me një shtëpi në Texas, duke shkaktuar vdekjen e një gruaje.

Sipas policisë, Tesla Model 3, e drejtuar nga Michael Butler, po përdorte sistemin autopilot kur doli nga rruga dhe u përplas në një shtëpi.

Policia njoftoi se automjeti elektrik po lëvizte me shpejtësi të madhe kur humbi kontrollin dhe goditi shtëpinë ku ndodhej viktima Martha Avila. Ajo u dërgua menjëherë në spital, por vdiq si pasojë e plagëve të rënda.

Raporti policor thekson se shoferi nuk ishte nën ndikimin e alkoolit apo substancave narkotike.

Aksidentet e lidhura me sistemin autopilot të Teslas kanë vënë kompaninë nën vëzhgim të shtuar nga Administrata Kombëtare e Sigurisë së Trafikut në Autostrada në SHBA (NHTSA).

Vitin e kaluar, agjencia federale hapi hetim mbi mënyrën se si Tesla raporton aksidentet që përfshijnë sistemet e saj të asistencës për drejtuesin. Ndërkohë, një gjykatë amerikane ka vendosur që Tesla të paguajë 243 milionë dollarë dëmshpërblim për një aksident fatal të vitit 2019, ku ishte përdorur sistemi autopilot.