Njerëzit me diabet mund të kenë simptoma të rënda dhe komplikime gjatë një infeksioni COVID-19, por nëse diabeti kontrollohet mirë, atëherë rreziku i komplikimeve serioze është i ngjashëm me atë të popullatës së përgjithshme, shkruajnë nga Ministria e Shëndetësisë duke u bazuar në rekomandmet e Klinikës Universitare të Endokrinologjisë.
Rekomandohet që njerëzit me diabet të kenë informacione kontakti me mjekun ose infermierin e tyre, si dhe të sigurojnë sasi të mjaftueshme të ilaçeve dhe materialeve të monitorimit të diabetit në shtëpi, që nëse sëmuren të mos duhet të largohen nga shtëpia.
Njerëzit me diabet që janë të infektuar me virus mund të pësojnë përkeqësim të kontrollit të glicemisë gjatë sëmundjes. Ata duhet të praktikojnë “rregullat e sëmundjes” të rekomanduara për çdo situatë stresuese në mënyrë që të përmirësojnë gjendjen e tyre në diabet, përcjell TV21. Ata gjithashtu duhet të kontaktojnë mjekun/infermierin e tyre menjëherë për këshilla se si të monitorojnë nivelin e sheqerit në gjak, çfarë rregullimesh mund të duhet të bëjnë në terapinë ose dietën e tyre, dhe të marrin ilaçet e duhura (veçanërisht insulinë).
Përveç rekomandimeve të përgjithshme për mbrojtje nga virusi, rekomandime të veçanta për njerëzit me diabet në rast sëmundjeje janë:
- Merrni lëngje të mjaftueshme
- Monitoroni nivelin e sheqerit në gjak
- Monitoroni temperaturën
- Nëse jeni në insulinë, ndiqni ketonin
- Ndiqni rekomandimet e ekipit tuaj të profesionistëve të shëndetit
Për t’ua rikujtuar, njerëzit e infektuar me Covid-19 mund të pësojnë ethe, kollë, probleme me frymëmarrjen, ndjehen të lodhur dhe kanë dhimbje muskujsh.
Sipas të dhënave aktuale, 98% e pacientëve mbijetojnë, shumica e rasteve (> 80%) kanë një pamje të butë klinike dhe tregojnë vetëm simptoma minimale të ngjashme me gripin dhe njerëzit mund të shërohen në shtëpi. Një numër rastesh (rreth 14%) janë të rënda, dhe shumë pak (rreth 5%) mund të jenë kritike.
Disa njerëz nuk kanë simptoma, ose vetëm simptoma të buta të ftohjes së zakonshme. Tek të tjerët, COVID-19 mund të çojë në probleme serioze, siç është pneumonia (pneumonia) apo edhe vdekja. Kjo gjendje është më e shpeshtë te njerëzit me probleme të tjera shëndetësore, veçanërisht të moshuarit, ata me sëmundje kardiovaskulare, sëmundje kronike të mushkërive dhe presion të lartë të gjakut, dhe njerëzit me diabet që mund të kenë simptoma dhe komplikime të rënda gjatë infeksionit me COVID-19.
Por siç u theksua më parë, nëse diabeti kontrollohet mirë, rreziku i komplikimeve serioze është i ngjashëm me atë të popullatës së përgjithshme. Nëse njerëzit me diabet nuk e kontrollojnë mirë diabetin dhe kanë ndryshime të shpeshta në sheqerin në gjak, ekziston rreziku më i lartë i një forme më të rëndë të infeksionit COVID-19 në krahasim me popullatën e përgjithshme, pasi aftësia e trupit për të luftuar infeksionin është dobësuar./TV21
