Ministri Sali merr dozën e tretë të vaksinës: “Nuk do t’i kushtëzoj qytetarët të imunizohet kundër Covid-19”

TË FUNDIT

Në paraqitjen e tij të parë para mediave si ministër i Shëndetësisë, Bekim Sali erdhi me 20 minuta vonesë.

I shoqëruar nga studentë, u drejtua për te pika e vaksinimit pranë fakultetit të Ekonomisë.

Këtu e mori dozën e tretë të vaksinës për mbrojtje nga virusi korona.

Infermierët e qerasën me çokollatë.

E disa minuta më pas, i veshur me bluzën ku shkruante “Vaksinohu” u apeloi qytetarët që të imunizohen kundër Covid-19.

 “Nga ky vend duam të japim apelin tonë se shkenca ose pjesa akademike së bashku me rektorin Jankullovski dhe profesoreshën Grozdanova, japim mesazhin se vaksinimi është i sigurt dhe mënyra e vetme për të mbrojtur popullatën nga infektimet e virusit Covid-19”, tha Bekim Sali, minister i Shëndetësisë.

Ministri Sali nuk planifikon të vendos masa të reja shtrënguese për qytetarët që nuk janë imunizuar. E në pyetjen se si do ta stimulojë imunizimin, i cili ka stagnuar, ministri i ri thotë se përmes apeleve dhe shembullit konkret, duke u vaksinuar vetë, do t’i bindë qytetarët t’u drejtohen pikave për vaksinim.

 “Ne ndoshta jemi shtet i vetëm në rajon që kemi zbatuar politika liberale ndaj kushtëzimeve për vaksinim. Gjithçka është me vetiniciativë dhe ne japim shembuj nga vetvetja se vaksinimi është mekanizmi i vetëm për mbrojtje nga viruset, në këtë rast ndaj Covid-19. Na ngelet në të ardhmen ta ndjekim situatën dhe sipas nevojës do të bëjmë edhe apele tjera ose iniciativa tjera pa kushtëzime”, pohoi Bekim Sali, minister i Shëndetësisë.

Ndryshe në vendin tonë deri më tani me dy doza janë vaksinuar rreth 860 mijë qytetarë.