Epidemi e etheve të Nilit Perëndimor në 5 komuna të Shkupit! Nuk ekziston ilaç specifik, qytetarët të përdorin sprej kundër mushkonjave

TË FUNDIT

Është shpallur epidemi e etheve të Nilit Perëndimor në disa komuna të Shkupit – Kisella Vodë, Aerodrom, Gazi Babë, Butel dhe Ilinden, por pavarësisht kësaj, autoritetet shëndetësore thonë se nuk ka vend për panik. Deri tani në klinika janë hospitalizuar 29 persona, ndërsa ka edhe një të vdekur. Bëhet fjalë për një 83-vjeçar, i cili kishte edhe sëmundje të tjera shoqëruese. Drejtori i Klinikës Infektive, Fadil Cana, tha se në Klinikë ka ende persona në gjendje të rëndë, por sqaroi se nuk ekziston ilaç specifik për këtë virus, ndaj pacientët trajtohen në varësi të gjendjes së tyre klinike. Si simptoma shfaqen temperaturë e lartë, dhimbje e fortë e kokës dhe konfuzion, tha Cana.

Nga Qendra e Shëndetit Publik Shkup thonë se arsyeja për shpalljen e epidemisë është rritja e numrit të rasteve të infektuara me ethet e Nilit Perëndimor, të cilat transmetohen nga mushkonjat. Për këtë qëllim janë kryer edhe spërkatje shtesë në qytetin e Shkupit, veçanërisht në rajonin e Draçevës, ku janë regjistruar një numër më i madh rastesh. Masa do të ndërmerren edhe për eliminimin e ujërave të ndenjura, të cilat janë vende ku shumohen mushkonjat.

Marija Goçevska nga Instituti i Shëndetit Publik, ndërkaq, u dha rekomandime qytetarëve që të përdorin sprej kundër mushkonjave dhe qytetarët, veçanërisht bujqit, të shmangin vendet ku ka gjelbërim.

Nga Komuna e Kisella Vodës njoftuan se po zhvillohet aksion kundër larvave të mushkonjave, ndërsa të premten do të ketë trajtim kundër mushkonjave të rritura, veçanërisht në territorin e lagjes Draçevë.