Me ardhjen e ministrit të ri të Shëndetësisë Fatmir Mexhiti në krye të këtij dikasteri, vijnë edhe premtimet dhe shpresat e reja për ndërtimin e një Qendre Klinike. Në paraqitjen e parë para gazetarëve ministri Mexhiti thotë se ndër prioritetet për të është edhe objekti i ri për Klinikë, që premtohet vite me radhë. Mexhitit u shpreh se kjo është e domosdoshme për vendin tonë, ndërsa shtoi se projektin e kanë në dorë dhe sapo të jetë gati do ta shpalosin në opinion.
“Gjëja tjetër shumë me rëndësi për shtetin e që është përfolur shumë kohës së fundit, është Qendra klinike. Do të thotë se ne do ta vazhdojmë atë projekt, në programin tonë e kemi paraparë, e kemi në detaje të rregulluar, të organizuar. Do ta shohim kohën dhe tajmingun kur do të dalim para mediave dhe kur do të jemi shumë të sigurt. E dimë saktë, vizionin, idetë i kemi, komplet projektin dhe do të dalim do ta përfaqësojmë para jush, mediumeve”, tha Fatmir Mexhiti, ministër i Shëndetësisë.
Ideja për një kompleks të ri të Klinikave buron që nga 2016-ta, kur ministër i Shëndetësisë ishte Nikolla Todorov.
“Të nderuar, ky investim paraqet kurorë në investimet në sistemin shëndetësor. Po themelojmë standard të ri për cilësinë e shërbimeve shëndetësore në Maqedoni. Vetëm investimi i ndërtimit do të kushtojë rreth 70 milionë euro, ndërsa investimi i plotë për modernizimin e kampusit kapin vlerën prej mbi 120 milion euro”, theksoi Nikolla Todorov, ish-ministër i Shëndetësisë (2016).
Mirëpo me ndryshimin e qeverive dhe ardhjen e Venko Filipçes në këtë post, ky projekt u ndërpre.
“Studimi i fizibilitetit është i gatshëm. Agjencia austriake për shëndetësi gjatë javës së ardhshme duhet të dërgojë një letër dhe pastaj menjëherë të njëjtën bashkë me ministrin e Financave t’ua dërgojmë kreditorëve të mundshëm, bankave komerciale dhe institucioneve ndërkombëtare. Ekspertët konsiderojnë se përgjigje mund të merret brenda 2-3 javëve dhe pastaj të shohim cilat janë kushtet më të volitshme dhe kush do të jetë kreditori”, pohoi Venko Filipçe, ish ministër i Shëndetësisë (2019).
Për shkak të ndërprerjes së kontratës, ministrit paraprak Bekim Sali i erdhi gjobë miliona euroshe nga kompania italiane.
“Ne si Ministri jemi të organizuar me juristë për ta shqyrtuar mundësinë për ulje të shumës së kërkuar. Sigurisht që nuk do të jetë ajo shumë. Në shumicën e rasteve pala i kërkon të gjitha mjetet që i ka paraparë në përllogaritjet e saj për dëmet që janë bërë në lidhje me atë kontratë”, u shpreh Bekim Sali, ish ministër i Shëndetësisë (28.10.2022).
Klinika e re nuk u bë, ndërsa gjoba ngeli pa u paguar, tanimë me të do të merret ministri i ri në detyrë. Mexhiti tha se nuk dihet saktë shuma se sa shteti obligohet të paguaj dhe a do t’i paguaj. Përndryshe tre prioritetet e tij janë azhurnimi i listës pozitive, zgjidhja me kaosin e parkingut të Qendrës Klinike si dhe ndërtimi i një qendrës interne urgjente. U zotua se do të angazhohet edhe që sa më shpejt të ndërtohen spitalet që kanë mbetur në gjysmë.
