Pas zëvendëskryeministrit Dimitrovi, kritika përbrenda qeverisë vijnë edhe nga kryetari i PLD-së Goran Milevski, që mban postin e ministrit për Vetëqeverisje Lokale. Milevski në emisionin “Click Plus” tha se ndonëse qeveria u reformatua, ajo ka dështuar në reformat në drejtësi dhe gjyqësor. Vlerëson se nuk kemi shtet ligjor, sado që MPB-ja të arrestojë dhe të ngrejë akuza, nëse drejtësia është siç është.
“Nuk kemi lëvizur nga faza e reformimit të drejtësisë që u instalua nga njerëzit që u liruan para Krishtlindjeve apo Vitit të Ri, ndaj këtu qeveria ka dështuar. Ne kemi premtuar pensionimin e gjyqtarëve, kemi premtuar pastrimin e gjyqtarëve duke kontrolluar pronën dhe nuk kemi bërë asgjë si qeveria dhe kjo është vërejtje që qëndron. Dua të them që ne nuk mund të kemi shtet serioz në drejtësi, ku do të vijë ndonjë investitor serioz të investojë, kur nuk ka siguri në sistemin e drejtësisë”, tha Goran Milevski – kryetar i PLD.
Ndonëse nga qeveria e re e propozuar nga tashmë lideri i LSDM-së Dimitar Kovaçevski largohen 8 ministra, ministri i deritanishëm i Drejtësisë, Bojan Mariçiq dhe zv/kryeministri për Luftë Kundër Korrupsionit Lupço Nikollovski mbeten në qeveri, por marrin nën drejtim dikastere të tjera.
-Nga Ministria e Drejtësisë, Bojan Maripçiq do të bëhet zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.
-Emër i ri, Nikolla Tupançevski – Ministër i Drejtësisë
-Nga zëvendëskryeministër për Luftë Kundër Korrupsionit, Luçpo Nikollovski do të bëhet Ministër i Bujqësisë.
-Emër i ri, Sllavica Gërkovska e cila do të jetë zëvendëskryeministre për Luftë Kundër Korrupsionit.
Nga mandatari Kovaçevski e as nga Qeveria nuk morëm përgjigje se përse vendosi që t’i mbajë Nikollovskin dhe Mariçiqin në qeveri, ndonëse për këto dy fusha ka pasur më së shumti vërejtje.
E në lidhje me përjashtimin nga qeveria ka reaguar edhe Ministrja e deritanishme e Kulturës Irena Stefoska. Ajo thotë se nuk është pyetur për arsyet konkrete pse duhet të largohet nga funksioni, si dhe për atë çka është punuar, duke shtuar se megjithatë e drejta e çdo mandatari është të formojë kabinet.
Përndryshe Qeveria e re të cilën duhet ta udhëheqë Dimitar Kovaçevski do të numërojë 21 anëtarë, LSDM dhe koalicioni do të kenë 12, BDI gjashtë, ndërsa Alternativa tre ministra. Kabineti i ri qeveritar do të ketë një anëtar më shumë – ministër pa dikaster, vend që i takoi Alternativës. Mbledhja për zgjedhjen e qeverisë së re e propozuar nga Dimitar Kovaçevski është caktuar për të shtunën, në orën 11.
