Banorët e rajoneve rurale në Turqinë juglindore po luftojnë që të tejkalojnë pasojat e tërmetit katastrofal me fuqi prej 7.8 ballëve sipas shkallës së Rihterit që goditi Turqinë dhe Sirinë para 1 jave.
Fshati Pollat që gjendet rreth 100 kilometrave nga epiqendra e tërmetit është thuajse krejtësisht i shkatërruar.
Shumë pak objekte në rrugën kryesore të fshatit nuk janë rrënuar, por në to nuk jeton askush për shkak se dëmet që kanë pësuar i bëjnë të pasigurta për banim.
“Do të sjellim makinën tonë për larjen e enëve dhe lavatriçen në stallë, e më pas do të shohim. Këtu janë fëmijët tanë, kemi fjetur në veturën e tyre. Natën temperatura arrin -22°C. Do të mundohemi të mbijetojmë deri në pranverë”, tha Dogan Maral, banor i fshatit Pollat.
Pjesa më e madhe e fshatarëve mbetën pa kulm mbi kokë brenda natës, por jo të gjithë arritën të sigurojnë tenda. Për dallim nga qytetet e mëdha, në fshatin Pollat ndihma nga Qeveria arriti shumë vonë – shumë banorë u lanë në dorë të fatit. Tani kur arriti ndihma, familjet janë të obliguara që të ndajnë tendat e vogla, ndërsa të tjerë kërkojnë ndihmë në vend tjetër. Një çift i moshuar është akomoduar në tendë me fqinjët e tyre, Zehra fle në tokë ndërsa Mustafa në karrige.
“Flemë në baltë, të gjithë së bashku dy, tre, katër familje. Nuk ka mjaftueshëm tenda në fshat, andaj qëndrojmë së bashku. Kjo është tenda jonë”, theksoi Zehra Kurukafa, banore e fshatit Pollat.
Edhe përkundër asaj që në fshat ka pasur vetëm tre viktima, banorët tash janë të brengosur për sëmundjet që u kanosen. Duke pasur parasysh se gjatë tërmetit ngordhën shumë bagëti dhe autoritetet nuk kanë ndërmarrë asgjë për largimin e tyre, tashmë ka filluar të shpërndahet kundërmimi i kafshëve të kalbura. Ashtu siç po shkrihet bora, aq më të mëdha janë gjasat që të helmohen ujërat nëntokësorë, duke shkaktuar probleme afatgjate në fshatin e lënë nën rrënoja.
