Micotakis: Do të vaksinohen rreth 8.000 persona në ditë

TË FUNDIT

Mundësia për vaksinim në nivel ditor do të rritet prej 5.000 në 8.000, ndërkaq ndoshta edhe pak më shumë, tha kryeministri grek, Kiriakos Micotakis gjatë takimit të rregullt me ministrat kompetent për situatën me Kovid-19 në vend, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Micotakis e shprehi kënaqësinë e tij për faktin që procesi i vaksinimit, deri më tani, po zhvillohet “me tempo të kënaqshme, në mënyrë metodike, të sigurt, transparente dhe çka është më me rëndësi, pa gabime”.

Sipas të dhënave të faqes speciale për vaksinim në Greqi, përfundimisht me dje në orën 17:40, dozën e parë të vaksinës e morën 26.006 persona.

Vaksinimi në Greqi filloi më 27 dhjetor, ndërsa nga e hëna do të hapet platforma speciale për qytetarët, për caktim të terminit për vaksinim, përderisa, ndërkaq, prioritet kanë persona të cilët janë mbi moshën 85-vjeçare.