Dinamikë të zjarrtë të punës paralajmëroi mandatari për formim të Qeverisë, Hristijan Mickoski gjatë prezantimit të programit qeveritar para deputetëve në Kuvend. Investime të reja, projekte për zhvillim ekonomik, tatime më të ulëta, rritje të pensioneve, rritje e pagave, rritje prej 5% të bruto prodhimit vendor dhe inflacion vjetor prej 2-2.5% si dhe ulja e papunësisë në 7% janë disa nga premtimet kryesore të kryeministrit në ardhje. Mickoski në paraqitjen e tij tha se ende pa u ulur mirë në kolltukun e tij si kryeministër, të martën më 25 qershor do të promovojë investim prej 400 milionë eurove.
“Sepse kjo gjeneratë, nuk ka opsion për mossukses dhe bashkë do të duhet të bëjmë hapa përpara. Për këtë nuk do të kërkoj 100 ditë muaj mjalti por paralajmëroj fillim të furishëm të projekteve dhe investime të reja menjëherë. Nuk kishim asnjë sekondë në periudhën e fundit. Që të martën paralajmëroj investim prej mbi 400 milionë euro. Më pas do t’i ulim tatimet, rrisim pensionet dhe do të sigurojmë të holla për projekte kapitale”, tha Hristijan Mickoski – mandatar.
Mickoski paralajmëroi ministrat e propozuar që nuk do të tolerojë mos punë. Theksoi se do të jenë në revizion të vazhdueshëm.
“Puna e të gjithë kandidatëve të propozuar për funksione publike do të jetë lëndë e revizionit të vazhdueshëm dhe evaluimit. Do të ketë vend vetëm për ata me vullnet të qartë të cilët i përkushtohen shtetit dhe popullit dhe drejt përmbushjes së programit. Nuk do të toleroj dështime. Kush nuk mundet të menaxhojë nuk është gabim apo mëkat të tregojë”, shtoi mandatari Hristijan Mickoski.
Por për LSDM-në ky program i Mickoskit nuk i përmban premtimet që VMRO-DPMNE i prezantoi para qytetarëve. I pari që mori fjalë nga kjo parti, ishte deputeti Oliver Spasovski. Thotë se në programin për qeverisje mund të shohë vetëm deklarata, por jo hapa konkretë.
“Është fakt se shumë prej premtimeve që u dhanë para qytetarëve, shumë prej çështjeve që u hapën dhe të cilat më duhet të them se në mënyrë manipulative arritët që të merni mbështetjen nga qytetarët, sot nuk i kemi në programin për punë të qeverisë”, u shpreh Oliver Spasovski deputet i LSDM.
Sllavjanka Petrovska, deputete e LSDM-së, kërkoi sqarim nga DPMNE për disa çështje.
“Balancuesi, do të jetë apo nuk do të jetë? Zv.kryeministër të parë, do të ketë apo nuk do të ketë? Bullgarë në Kushtetutë, do të ketë apo nuk do të ketë? Dhe më e rëndësishmja nga premtimi juaj më i madh, emrin do ta ktheni, apo do ta shqiptoni me “E Veriut”? – potencoi Sllavjanka Petrovska – deputete e LSDM.
Seanca vazhdoi me procedurale, replika dhe kundër replika mes deputetëve, ndërsa debati më tepër bëhej mbi punën e Qeverisë së deritanishme. Për fjalë gjithsej janë paraqitur 50 deputetë ndërsa afati për votimin e qeverisë së re është mesnata e ditës së diel.
