Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE nuk do të marrë pjesë në takimin e liderëve që kryeministri Zaev e thirri për të premten e kësaj jave.
Zaev propozon që në takim të bisedohet për të ardhmen e PPS-së, kodin zgjedhor si dhe regjistrimin e popullsisë, por lideri i opozitës Hristijan Mickoski nuk do të dëgjoj. Ai ka një kusht. Kërkon që prioritet në këtë takim të jetë tema për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
“Unë isha i pari që e ftova kryeministrin të bashkëpunojmë për datë të zgjedhjeve. Ajo ofertë zgjati ca ditë. Cila ishte përgjigja e Qeverisë? Nuk e pranuan dorën e zgjatur të VMRO-së dhe na u përgjigj me akuza dhe përndjekje. U përgjigj me akuza dhe ndjekje ndaj funksionarëve të lartë aktual të partisë tonë po edhe ish funskionarë. Si të kemi takim kur kemi dallime aq të larta dhe qëndrime të kundërta”, theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Përveç që nuk do të shkon në takim, Mickoski tha se partia e tij do të bojkotojë regjistrimin e popullsisë.
Në takim nuk do të jetë as Lëvizja Besa. Nga kjo parti kërkojnë sqarim nga kryeministri Zaev se pse nuk janë ftuar në këtë takim.
“Për fat të keq, kryeministri Zoran Zaev ose nuk është në dijeni të kësaj, ose manipulon me opinionin dhe ai, duhet të japë një sqarim në opinion se pse para një viti në takim e ftoi lëvizjen BESA dhe pse tani nuk e fton”, u shpreh Arianit Hoxha nga Lëvizja Besa.
Ftesën e kryeministrit e ka pranuar Bashkimi Demokratik për Integrim. Bujar Osmani thotë se si parti në këtë takim do të flasin për qëndrimet e tyre, ndërsa tha se janë PRO idesë për lista të hapura.
“Parimisht ne i kemi qëndrimet tona. Jemi për lista të hapura. Sa i takon njësive zgjedhore mendojmë se prej në tre deri në gjashtë njësi nuk e dëmtojnë interesin e shqiptarëve në përgjithësi. Një njësi zgjedhore, disa kalkulime tregojnë se me formulën e domtit partitë më të mëdha, kryesisht maqedonase përfitojnë ose janë në favor në këtë drejtim”, tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.
Përgjigje pozitive për takimin dje dha Aleancës për Shqiptarët. Nga kjo parti theksuan se është mirë që Zaev e ka kuptuar forcën e vërtetë të ASH-së. Zaev takimin e liderëve e thirri për ditën e premte të kësaj jave.
Përgatiti: Mevludin Imeri
