Mickoski: LSDM-BDI do të pësojnë debakël në zgjedhje! Zaev: Shkaku i nacionalizmit do të humbni edhe shumë kohë

TË FUNDIT

Po vjen dita kur me të vërtetë presin edhe qytetarët, presim edhe ne ndryshime të mëdha që do të ndodhin pas këtyre zgjedhjeve lokale – porositi kryetari i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski gjatë vizitës në Gostivar. Siç thotë ai, zgjidhja përfundimtare për të gjithë problemet e qytetarëve është disfata e pushtetit të udhëhequr nga LSDM dhe BDI, së pari në zgjedhjet lokale në tetor, e më pas edhe në formimin e shumicës së re parlamentare.

 “Mënyra e vetme që të tejkalohen gjithë këto probleme është të veprohet në mënyrë intensive, ndërsa kjo është fitorja e opozitës së bashkuar dhe disfatë katastrofale e këtij pushteti të paaftë të udhëhequr nga LSDM dhe BDI. Kjo është mënyra e vetme për tu tejkaluar të gjithë problemet e qytetarëve. Nëse edhe më tej i konstatojmë problemet, ose i shtojmë njëri tjetrit, ndërsa zgjidhjen e njëjtë e prolongojmë, kjo nuk do të thotë zgjidhje e përhershme. Andaj porosia ime sot dhe atë që dua të them është se zgjidhja përfundimtare për të gjithë problemet e qytetarëve është disfatë në zgjedhjet lokale, shumicë e re parlamentare menjëherë pas humbjes së pushtetit në zgjedhjet lokale”, tha Hristijan Mickoski – kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Por, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev kishte mesazh për Mickoskin. Siç tha, nëse i  drejtohet vetëm një bashkësie etnike, VMRO-DPMNE edhe një kohë të gjatë do të pësojë dështime.

 “Kur t’i drejtoheni vetëm një bashkësie etnike, atëherë mund të prisni përkrahje vetëm prej asaj bashkësie. Ja, zgjedhjet janë në prag dhe unë edhe një herë do të dëshmojë se arsyet për fitoret tona si koalicion, dhe për disfatat e tyre është pikërisht qëndrimi nacionalist që e kanë në një vend multietnik, dhe kjo do të jetë arsyeja edhe për disfatën e ardhshëm të VMRO-DPMNE-së”, u shpreh kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Këtë e deklaroi Zaev duke i komentuar paralajmërimet për koalicionin e mundshëm të VMRO-DPMNE-së me ASH-në dhe Alternativën. Edhe Arben Taravari konfirmoi se ka negociata.

 “Ne negociojmë me të gjitha partitë politike, edhe me VMRO-DPMNE-në. Shpresoj se do të mbarojmë me të gjitha negociatat, jemi kah fundi. Kjo normal se duhet të kalojë përmes organeve partiake, shpresoj se gjatë javës në vijim ndoshta do ta zyrtarizojmë dhe  do të nënshkruhet marrëveshje e këtillë që do të publikohet në mënyrë transparente para mediave”, potencoi Arben Taravari – Sekretar Gjeneral i Aleancës për Shqiptarët.

Për dallim nga ASH-ja dhe Alternativa, E Majta e refuzoi ftesën e Mickoskit që të jetë pjesë e koalicionit të bashkuar. Siç shkroi në rrjetet sociale Apasiev, qëllimi i Së Majtës nuk është që ata të sjellin dikë në pushtet, por E Majta vet të jenë në pushtet.

Siç dihet, Zaev pak kohë më parë arriti marrëveshje edhe me Ali Ahmetin, Bilal Kasamin dhe Menduh Thaçin për bashkëpunim dhe përkrahje në disa komuna, në rrethin e parë apo të dytë në zgjedhjet lokale në tetor./TV21