Mickoski lë hapur mundësinë për zgjedhje të parakohshme! Ahmeti kërkon zgjedhje në pranverë

TË FUNDIT

Pas shënimit të përvjetorit të VMRO-DPMNE më 17 qershor në Strumicë, do të nisin bisedimet me partnerët e koalicionit për riformatimin e Qeverisë, kështu njoftoi Kryeministri Hristijan Mickoski duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve sa i përket rikonstruimit të qeverisë.

“Javën e ardhshme, pas festimit të përvjetorit që do të mbahet më 17 qershor në Strumicë, me fillim nga ora 20:00 në stadium, pas kësaj fillojmë bisedimet me partnerët e koalicionit qeveritar rreth riformatimit të Qeverisë”, deklaroi Hristijan Mickoski.

Duke komentuar pretendimet e opozitës, konkretisht të LSDM, se Qeveria po shkon në zgjedhje sepse i ka shpenzuar paratë e shtetit dhe se ata nuk do të jenë alibi për zgjedhje të parakohshme, Kryeministri Hristijan Mickoski hodhi poshtë akuzat e tyre duke theksuar se Qeveria ka mandat katërvjeçar dhe synon zgjedhje të rregullta në vitin 2028. Por, nga ana tjetër, theksoi se nëse sfidohen politikisht, duhet të jenë të përgatitur, ashtu si çdo forcë serioze politike, dhe atëherë do të shkojnë në zgjedhje dhe do të fitojnë.

“Nuk do të përzihem në strategjinë e tyre. Di vetëm se, politikisht, kur hyn në gjysmën e dytë të mandatit, është logjike të jesh i përgatitur për zgjedhje, pavarësisht nëse ato janë të rregullta apo të jashtëzakonshme, me kërkesë të opozitës. Opozita jonë nuk kërkon zgjedhje; ajo është e fshehur. Janë tre-katër persona që mbajnë konferenca për shtyp të mbushura me të pavërteta dhe fyerje, kryesisht ndaj meje. Tani, kur kanë mundësinë të tregohen në terren dhe të shohin se çfarë efekti kanë ato të pavërteta dhe fyerje, ata thjesht ikin. Kjo nuk do të ishte hera e parë që LSDM e bën këtë. Në histori, LSDM e ka bërë shumë herë. Unë e kam thënë dhe do ta them: qëndrimi ynë është të mos kemi zgjedhje të parakohshme, ne e kemi fituar mandatin nga qytetarët për katër vite dhe duam të shkojmë në zgjedhje të rregullta parlamentare që do të ndodhin në vitin 2028”, tha Mickoski.

Nga ana tjetër, për kreun e BDI, Ali Ahmeti, zgjedhjet duhet të mbahen në pranverë.

“Një organizim dhe mobilizim i shkallës së parë dhe t’i lëmë me gishtat në gojë, le t’i bëjnë zgjedhjet tani sipas dëshirave të tyre. Zgjedhje në pranverë duhet të ketë, por ne duhet të përgatitemi për në vjeshtë, për vjeshtën e vonshme”, deklaroi Ahmeti.

Ai bëri thirrje për mobilizim dhe organizim të strukturave partiake, duke vlerësuar se vetëm përmes unitetit dhe angazhimit të përbashkët mund të arrihen objektivat politike të partisë.