Informacione nuk ka, po ndjesi po. Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se ka ndjesi që ish-funksionarë të lartë të LSDM-së do të ndiqen nga organet hetimore të vendit, duke aluduar për ndjekje të reja penale ndaj ish-kryeministrave dhe të zyrtarëve të lartë nga qeveria e kaluar e LSDM-së.
“Kam ndjesi që së shpejti funksionarë të lartë nga qeveria e kaluar e LSDM-së, kryeministra të mëparshëm – kryetarë qeverie, të afërmit e tyre familjar dhe kështu me radhë do të përfshihen me ndjekje të caktuara. Kam ndjesi, nuk them se kam informacione! Ndjej se edhe ajo kur të ndodh, do të ketë njësoj konferenca për media dhe atëherë nuk do të thonë se ka ndjekje politike, por të njëjtit do ti ftojnë të përgjigjen para organeve kompetente, përkatësisht të dëshmojnë pafajësinë e tyre”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryeministër.
Për këtë reaguan socialdemokratët duke thënë se pasi i vendosi njerëzit e tij në pozicione kyçe në gjyqësor, kur ai vetë po bëhet subjekt i interesit të hetimeve ndërkombëtare, Mickoski po fillon, përmes abuzimit me institucionet, të përpiqet të fshehë proceset e vërteta që lidhen me krimin dhe korrupsionin.
“Kemi ndjesinë se frika i ka hyrë në kocka Mickoskit! Kemi ndjesinë se Zyra e Prokurorit Evropian tashmë e ka çështjen për kombinimet e biznesit të Orbanit, në të cilat është i përfshirë vetë Mickoski. Kemi një ndjesi se qytetarët e Maqedonisë shumë shpejt do të dëgjojnë detaje tronditëse rreth marrëveshjeve Orban-Mickoski-Vuçiq në Ballkan. Kemi një ndjesi se do të zbulojnë se si janë shpenzuar paratë e qytetarëve maqedonas – përmes çfarë kredish, mediash, telekomunikacionesh dhe projektesh infrastrukturore. Kemi një ndjesi se do të flitet edhe për pastrim parash përmes institucioneve të caktuara financiare”, thonë nga LSDM.
Përplasjet e pushtetit dhe opozitës sa vijnë e shtohen në këtë drejtim pas humbjes së zgjedhjeve të Orban në Hungari dhe deklaratës së kryeministrit të ardhshëm hungarez Maxhar që do të pastroj vendin nga kriminelët e huaj, duke përfshirë edhe ish-kryeministrin në arrati Nikolla Gruevski.
