Vendimi i liderit të LSDM-së për mbajtjen e zgjedhjeve më 5 korrik është sjellje jo-shtetërore, akuzoi Hristijan Mickoski në emisionin e mbrëmshëm Klik Plus në TV21. Sipas simulimit të bërë nga ana e partisë së tij, për atë se si duket procesi zgjedhor sipas protokolleve të caktuara paraprakisht për zgjedhje në kohë të korona virusit, Mickoski pohonte se për një orë më së shumti mund të votojnë 20 persona, që paraqet problem për disa vendvotime.
“Më së paku 3 minuta i nevojiten secilit votues. Të hyjë, ta gjejë emrin e tij në listën, të rrethohet emri i tij, të nënshkruhet, pastaj ta spërkasin me spërkatësin në gisht, të shkojë prapa kutisë, ta rrethojë fletën, ta fusë në kutinë e votimit, të dalë, pastaj të hyjë votues tjetër. Të paktën 3 minuta. Më shpesh 5, por të paktën 3 minuta. Kjo do të thotë se brenda një ore mund të votojnë maksimum 20 njerëz”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE.
U prononcua edhe partia në pushtet LSDM. Nga atje thonë se në kohë krize Mickoski kujdeset vetëm për kënaqësitë personale.
“Mickoski duhet të turpërohet nga sjellja e tij që është provë e drejtpërdrejtë se pse ballafaqohemi me valë të dytë, kjo është për shkak të mosrespektimit të masave dhe mosndëshkimit nga ana e MPB-së. Lideri i VMRO-DPMNE-së nuk ka asnjë përgjegjësi ndaj të sëmurëve, as ndaj mjekëve. Shtesë, duke i keqpërdorur instalimet e tij në MPB, nga VMRO-DPMNE-ja përpiqen t’i fshehin gjurmët e shkeljeve të ligjeve”, u tha nga LSDM.
Lideri i VMRO-DPMNE-së, mbrëmë theksoi se do të tërhiqet nga funksioni kryetar i partisë politike nëse i humb zgjedhjet e ardhshme, edhe pse, siç tha, është i bindur se do të fitojnë. I pyetur para disa ditëve se a do të marrë pjesë në zgjedhjet e paralajmëruara më 5 korrik, Mickoski nuk paralajmëroi bojkot, por tha se do të shfrytëzojë të gjithë mjetet që ta fitojë Zaevin.
