VMRO-DPMNE insiston në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Lideri i kësaj partie, Hristijan Mickoski, tha se Maqedonisë i duhet Qeveri stabile, prandaj duhet caktuar zgjedhje në vjeshtën e këtij viti. Ndonëse partitë qeveritare janë kundër zgjedhjeve, megjithatë Mickoksi tashmë ka nisur takimet me partitë shqiptare në opozitë.
I pyetur nëse eventualisht do të mbahen të zgjedhjet, a do të mund të jenë në listë të përbashkët me Lëvizjen Besa, kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski tha se të gjitha opsionet janë të hapura dhe se secili që është kundër Qeverisë LSDM-BDI është i mirëseardhur.
“Të gjitha opsionet janë të hapura, pse me Besën, sepse të gjitha opsionet janë të hapura. Secili që është kundër kësaj Qeverie të kriminalizuar dhe korruptuar të udhëhequr nga LSDM-BDI janë të mirëseardhur”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Por, zëvendëskryetari i Besës, Arjanit Hoxha shprehet i prerë në qëndrim për koalicione parazgjedhore me partitë maqedonase. Në Facebook ka shkruar se koalicion mund të ketë vetëm pas zgjedhjeve parlamentare dhe atë me marrëveshje partneriteti për të udhëhequr shtetin konform realitetit shoqëror.
“Lëvizja BESA gjatë veprimit të vet politik ka dëshmuar largpamësi politike duke dhënë shans për koalicione parazgjedhore por epilogu i atij koalicioni përfundoi duke mos lexuar drejt dhe saktë synimin e Lëvizjes BESA, prandaj në të ardhmen nuk do lejojmë që vizioni i Lëvizjes BESA të përdoret si shpëtim i partive maqedonase por do vazhdojmë që vizionin për të ardhmen e këtij shteti ta ndërtojmë duke bashkëvepruar me gjithë faktorin politik shqiptar që do të sjellë ndryshimin brenda spektrit politik shqiptar, duke e dërguar BDI-në në opozitë”, theksoi Arjanit Hoxha, zëvëndëskryetar i Lëvizjes Besa.
I hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë duke lënë anësh inatet politike është edhe lideri i Alternativës, Afrim Gashi. Por kur u pyet për bashkëpunim me Lëvizjen Besa, Gashi u përgjigj kështu:
Gazetar: Gjatë fjalimit tuaj potencuat se prej sot po hapni një kapitull të ri dhe do t’i largoni inatet politike me subjektet politike, nënkupton kjo që edhe me Lëvizjen Besa do t’i tejkaloni dallimet që i keni pasur deri më tani?
“Por, unë e thashë me një kusht, ne mund të bashkëpunojmë apo nuk bashkëpunojmë për shkak të vlerave dhe parimeve që i promovojmë dhe thashë se nëse një parti nuk promovon një koncept dhe sistem të vlerave që ne e promovojmë, natyrisht që nuk do të bashkëpunojmë. Por, dera është e hapur me secilën parti, nëse nuk bashkëpunojmë për një çështje, mundet për çështje tjera të bashkëpunojmë me partitë e tjera”, tha Afrim Gashi, kryetari i Alternativës.
Alternativa është e mendimit se nuk është koha për zgjedhje të parakohshme parlamentare për shkak të krizave në të cilat po kalon vendi. As Lëvizja Besa nuk kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare, por kërkon nga partnerët ndërkombëtarë mekanizma shtesë për kontroll të Qeverisë.
