Kryeministri Hristijan Mickoski dhe lideri i opozitës Venko Filipçe u pajtuan se është mirë që kanë dërguar mesazh për bashkim pas takimit të tyre të djeshëm. Qëllimi ishte që për temat kyçe të jenë në të njëjtën linjë ndërsa Mickoski tha se është i gatshëm edhe për takime të tjera.
“Pres që edhe parti të tjera të opozitës, nëse kërkojnë takim, t’ua arsyetoj këtë dhe të propozoj se kur bëhet fjalë për çështje kyçe të jemi të bashkuar dhe të ndërtojmë konsensus”, tha Mickoski.
“Ne edhe më tej do të jemi të ndryshëm në aspekt politik, megjithatë kur bëhet fjalë për shtetin, duhet të gjithë bashkë të ulemi dhe t’i zgjidhim problemet”, tha Filipçe.
Filipçe demantoi se qëllimi ishte formimi i koalicionit monoetnik, ndërsa si argument e shfrytëzoi deklaratën e Arben Taravarit.
“E thirra takimin për kryetarët e të gjitha partive politike, një nga kryetarët e partive shqiptare politike, të rikujtoj, ai tha se kjo do të ishte humbje kohe, tani na akuzojnë për takim mono etnik”, deklaroi Filipçe.
Megjithatë nga BDI dyshojnë.
“A është kjo një përpjekje për të ndërtuar një hierarki të re politike mbi bazë etnike, ku shqiptarët përjashtohen nga proceset thelbësore të vendimmarrjes? Dhe në fund – a janë konsultuar fare partitë shqiptare të përzgjedhura nga Kryeministri për këtë takim?”, thotë BDI.
Ministri Taravari sot doli në publik por nuk deshi të përgjigjet pyetjeve politike. Nga koalicioni VLEN paraprakisht theksuan se nuk ka plane as publike as të fshehta për largimin e shqiptarëve nga çfarëdo niveli i pushtetit.
