Publikoi fotografi me kryeministrin hungarez Viktor Orban dhe i uroi për mandatin e katërt si kryeministër i Hungarisë.
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ishte në Hungari për t’i dhënë mbështetje në zgjedhjet parlamentare kryeministrit Viktor Orbani, ndërsa urimin e përfundoi duke thënë “Maqedonia ka miq”.
Pikërisht në Budapest të Hungarisë gjendet në arrati ish kryetari i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, i cili gëzon statusin e azilantit, të fituar nga administrata e udhëhequr nga Viktor Orban.
Reaguan nga LSDM. Thonë se Mickoski është takuar me ish-kryeministrin Gruevski për të marre detyra të reja dhe instruksione nga Gruevski.
“Është e qartë se Hristijan Mickoski është në kërkim të udhëzimeve dhe detyrave të reja tek shefi dhe mentori i tij Nikolla Gruevski. Vizita e Mickoskit në Hungari hap dyshime serioze në lidhje me shumë raste gjyqësore të cilat po udhëhiqen kundër Nikolla Gruevskit dhe ish udhëheqësin e VMRO-DPMNE-së. Vizitat e shpeshta në Budapest në periudha kyçe tregojnë se qëllimi i vetëm i Mickoskit është të mbrojnë krimin e Nikolla Gruevskit”, tha Darko Kaeski, zëdhënës i LSDM-së.
Nga VMRO-DPMNE thonë se lideri i tyre Hristijan Mickoski nuk është takuar me Gruevskin. Shtojnë se kryeministri Kovaçevski është ai që merr udhëzime nga ish-kryeministri Zoran Zaev për të shkruar kumtesa kundër VMRO-DPMNE-së.
“Kemi një njëri i cili çdo ditë është piun dhe vasal klasik i Zoran Zaevit, ai është zotëri Kovaçevski i cili çdo ditë pranon instruksione si dhe çfarë të punojë në Qeveri. Siç e shohim mirë i ka trashëguar ato punë që i ka bërë Zaevi, praktikisht asgjë të mos punojë, thjeshtë të punojë vetëm kundër interesave të qytetarëve”, theksoi Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Ish-kryeministri Nikolla Gruevski që nga viti 2018 është në arrati duke i ikur kështu dënimeve me burg për disa lëndë gjyqësore, ndërsa për arratisjen e tij asnjë institucion deri tani nuk mban përgjegjësi.
