Në Samitin e NATO-së në Uashington kryeministri Hristijan Mickoski në sesionet zyrtare ka shfrytëzuar emrin kushtetues Republika e Maqedonisë së Veriut. Kryeministri grek, Kirjakos Micotakis, në brifing me mediat greke, theksoi se Mickoski në samit e ka shfrytëzuar emrin zyrtar, por shtoi se në vend, shtetin e quajnë “Republika e Maqedonisë” që është në kundërshtim me Marrëveshjen e Prespës. Megjithatë kryeministri grek i ka informuar shefat e shteteve dhe Qeverive të vendeve anëtare të NATO-së, se është i shqetësuar se udhëheqja e re e Maqedonisë së Veriut nuk e zbaton pjesën kryesore të Marrëveshjes së Prespës, që emrin Maqedonia e Veriut ta përdorë erga omnes.
“Marrëveshjet duhet respektuar. Kjo është diçka që e theksova në Plenumin e NATO-së dhe mendoj se është diçka që e kuptojnë edhe aleatët tanë. Dëshirojmë që Maqedonia e Veriut të ndërmarrë hapa drejt aderimit europian. Megjithatë, kjo do të thotë respektim të së drejtës ndërkombëtare dhe marrëveshjeve të cilat vendi dukshëm i ka nënshkruar”, tha Kirijakos Micotakis, kryeministër grek.
Mbështetja për Ukrainën ishte tema kryesore në Samitin i cili u mbajt tre ditët e kaluara këtu në Uashington. Ministri i mbrojtjes, Vllado Misajllovski, në intervistë për TV21 tha se mbetemi në pozitë për mbështetjen e Ukrainës, si dhe zbuloi se ka arritur edhe kërkesë e re për donacione e cila do të shqyrtohet në seancat e ardhshme qeveritare.
“Ne jemi vendi i pestë nga të gjitha këto vende anëtare për sa i përket donacioneve këtu, dhe me të vërtetë për një vend të vogël është një sukses i madh dhe qeveria e mëparshme e ka bërë këtë për të ndihmuar Ukrainën dhe unë absolutisht këtë e përshëndes. Pavarësisht nëse është nga Qeveria e mëparshme apo tani, kjo qeveri do të bëjë të njëjtën gjë, duhet të vazhdojë sepse ne duhet t’i ndihmojmë në këto kohë të vështira Ukrainës, por ne do të shikojmë gjithçka që nuk është aq e nevojshme për momentin për ushtrinë tonë, të kthehet. Po, siç e përmendët, ka edhe kërkesa shtesë, por dalëngadalë do t’i shqyrtojmë dhe do t’i propozojmë në seancë të Qeverisë”, deklaroi Vllado Misjallovski, Ministër I Mbrojtjes.
Edhe Mickoski edhe Micotakis pas Samitit u nisën për në Nju Jork, secili me agjendën e vet lidhur me punët e brendshme të dy vendeve. Mickoski do të takohet me diasporën në Nju Xhersi, ndërsa Micotakis njoftoi se do të shkojë në Kombet e Bashkuara. Jovica Paunoski, TV21, Uashington.