Mickoski dhe Kasami kërkojnë zgjedhje të parakohshme! Vlerësojnë se vendi është në krizë nga e cila duhet dalë sa më parë

TË FUNDIT

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, takoi sot kryetarin e Tetovës, Bilall Kasami, njëkohësisht edhe kryetar i Lëvizjes Besa. Pas takimit kreu i opozitares maqedonase tha se qeveria aktuale e ka zhytur vendin në krim dhe korrupsion, se nuk ka perspektivë ekonomike për qytetarët e saj, andaj duhet të largohet sa më parë.

“Shteti shkon në drejtim të gabuar, Maqedonia lëvizën në drejtim të gabuar dhe kjo qeveri duhet sa më parë të ikë që të fillojë të ecë për së mbari Maqedonia dhe për qytetarët e saj, pa dallim se ndodhen në Shkup, Shtip, Tetovë, Gostivar, Strugë apo Strumicë. Sa më gjatë që qëndron kjo qeveri e LSDM-së dhe BDI-së qëndron aty ku është aq më shumë problem do të kenë qytetarët e saj, aq më shumë autobus të stërmbushur do ta lëshojnë Maqedoninë dhe një pjesë e madhe nuk do të kthehen asnjëherë. Aq më shumë do të kemi korrupsion, krim, do të kemi gjendje të rëndë ekonomike. Nëse dikur ishim lider për zhvillim ekonomik në rajon, sot ndodhemi në fund, dhe ky është një fakt humbës”, deklaroi Mickoski.

Edhe kreu i Besës, Bilall Kasami është dakord për zgjedhje të parakohshme. Madje thotë se ato duhet që të mbahen sa më parë për të dalë vendi nga kriza.

“Biseduam për bashkëpunimin në nivel qendror, si dy parti opozitare që të ofrojmë zgjidhje për problemet me të cilët ballafaqohet shteti në këto momente kritike si në rrugëtimin e integrimit të Maqedonisë së Veriut, sidomos në aspektin ekonomik me theks të veçantë për krizën energjetike. U dakorduam që në ditët në vijim të kemi aktivitete drejt imponimit të zgjedhjeve të parakohshme, që vullneti i qytetarëve të vijë në shprehje edhe në pushtetin qendror”, u shpreh Kasami.

Lidhur me bllokimin e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime në Kuvend, Mickoski tha se problemi më i madh është se qeveria LSDM-BDI nuk tërhiqet as pas humbjes së LSDM-së në zgjedhjet lokale. Ai tha se ka numër të mjaftueshëm të deputetëve për punë. Kasami nga ana tjetër kërkon konsensus për çështjet që duhet të kalojnë në Kuvend. Sipas tij, Lëvizja Besa sillet si opozitë në të gjitha nivelet dhe premtoi se do të vazhdojnë të jenë opozitë reale e këtij pushteti të dështuar.