Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se qëndrimi i qeverisë mbetet i pandryshuar se protokollet nuk duhet të jenë pjesë e Kornizës Negociuese me Bashkimin Evropian. Sipas tij, ky ka qenë pozicioni i ekzekutivit që nga fillimi dhe vazhdon të jetë i njëjtë, mirëpo Bullgaria mbron qëndrimin e kundërt, duke u thirrur në atë që është dakorduar me qeverinë e mëparshme, e cila sipas Mickoskit ka pranuar gjithçka.
“Ne si qeveri vlerësojmë së protokollet nuk duhet të jenë pjesë e kornizës negociouese dhe nuk duhet të jenë. Këtë qëndrim e kemi nga momenti i parë deri më tani, por për fat të keq qëndrimin që e ka pala tjetër është krejt ndryshe, e ai qëndrim është i atillë për shkak të ekzibicioneve dhe kapitulliit të qeverisë paraprake të LSDM-së dhe BDI-së dhe ekipit negocioues të udhëhequr nga dështaku i Çairit”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Para disa ditëve ish ministri i jashtëm, Bujar Osmani, publikoi sërish videon në të cilën, para një tabele, shpjegon strukturën e Kornizës Negociuese dhe deklaroi se protokollet, përkatësisht procesverbalet e takimeve me Bullgarinë, nuk janë pjesë formale e saj.
“Ka katër vjet që them se protokollet nuk janë pjesë e Kornizës Negociuese. Katër vjet kam duruar kritika, sulme dhe fyerje. Katër vjet kam vizatuar në tabela, kam shpjeguar dhe kam përsëritur”, u shpreh Bujar Osmani, nënkryetar i BDI-së.
Reagimi i Osmanit erdhi menjëherë pas një deklarate të ministrit aktual të jashtëm Timço Mucunski, i cili gjithashtu tha se protokollet nuk janë pjesë e Kornizës Negociuese.
Kryeministri, në një paraqitje mbrëmë në një podcast, theksoi se ndryshimet kushtetuese në këtë formë, siç kërkohen aktualisht, nuk do të ndodhin. Ai shtoi se është i gatshëm të bisedojë me këdo dhe kudo, derisa të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme që do ta çojë vendin drejt qëllimit përfundimtar.
