Opozitarja VMRO-DPMNE dhe lideri i saj Hristijan Mickoski, akuzojnë se vitin e kaluar, kryeshefi i atëhershëm i Sektorit për parandalim të krimit të organizuar pranë MPB-së, Llaze Vellkovski dhe prokurorja Villma Ruskoska e kanë ndryshuar faqen e tretë të denoncimit në të cilin janë paraqitur dyshime për zhvatje nga ana e njerëzve përgjegjës në TEC Manastir, respektivisht se kanë ndryshuar pjesën ku përmendet emri i Vice N. (mbiemër i panjohur). Sipas Mickoskit, këtë e ka pranuar edhe vetë pronari i kompanisë “Rubiton”- Manastir, e cila e ka marrë tenderin në mënyrë të rregullt.
“Kërkesa ka qenë që “Rubiton-i” ta kryejë punën, kurse 250 mijë euro t’i takojnë Vice Zaevit në kesh. Kjo shumë ishte shumë më e lartë nga përfitimi eventual. Pronarët e “Rubiton-it” nuk iu përgjigjën thirrjeve të Goran Kërstevit, pas çka Vice u kërcënoi se do ta humbin punën. Pas një sërë labirintesh, kompania e humbi punën nga TEC-i dhe pëson dëm prej 30 milionë denarëve, gjë të cilën asokohe e paralajmëronte edhe VMRO-DPMNE-ja në konferenca shtypi për futjen e dhunshme të kompanisë SB Invest në Kombinatin”, tha Mickoski.
Mickoski akuzon se edhe pse të dëmtuarit e kanë paraqitur rastin në polici, pjesa ku përmendet Vice Zaevi ka zhdukur në mënyrë misterioze.
Akuzat e Hristijan Mickoskit nuk kanë të bëjë fare me realitetin. Kjo është një gënjeshtër, shpikje, krijim i trurit të një njeriu i cili është i fiksuar me mua, reagon afaristi Vice Zaev, vëllai i kryeministrit Zoran Zaev.
“Është evidente se Mickoski mendon se nëse bën konstruktime për njollosjen time, do t’i thonë se është politikan i mirë. Nëse një njeri ka komplekse, nëse është i fiksuar me mua, ai nuk është problemi im. Nuk ka asnjë të vërtetë në këtë që po e flet Mickoski, andaj ai po fshihet prapa brifingjeve, frikësohet nga padi penale. Po të kishte briferi Mickoski ndonjë provë, do ta dorëzonte, megjithatë nuk ka. Vetë ai thotë se kanë kërkuar takim i cili nuk ka ndodhur”, tha Vice Zaevi për “Fokus”.
Nga TEC Manastir gjithashtu demantojnë duke shtuar se bëhet fjalë për akuza të cilat SHA ESM dhe TEC Manastir i kanë demantuar në 2019 dhe në 2020.
“Duam të shprehim dyshim se prapa sulmeve të vazhdueshme të partisë opozitare ndaj TEC Manastirit, konkretisht për rastin Rubiton, fshihen arsye fitimprurëse të operatorit ekonomik dhe partisë politike. Pronarët e kompanisë Rubiton janë në relacione të ngushta familjare me ish-drejtorin e TEC Manastirit që nga koha kur VMRO-DPMNE-ja ishte në pushtet. Vetëm në periudhën 2015-2018 kjo kompani nga TEC Manastiri ka arkëtuar 370.000.000 denarë për gërmimin e qymyrit”, deklaruan nga TEC Manastir.
Briferi i errët Hristian Mickoski u bë thashethemexhi, sapo e hap gojën – gënjen, briferi i errët Hristian Mickoski tashmë nuk u beson gënjeshtrave dhe dezinformatave të tij, reagon LSDM-ja pas brifingut të sotëm të liderit të VMRO-DPMNE-së.
“Nuk është hera e parë që i fiksuari Mickoski të tregojë gënjeshtra, të pavërteta, konstruktime për familjen e kryetarit Zaev. Por, kjo vetëm flet për gjendjen në të cilën gjendet Mickoski”, thonë nga LSDM-ja.
Në kumtesën e LSDM-së, shtojnë se në studim të publikuar nga Parlamenti Evropian, Hristian Mickoski përmendet si burim i dezinformatave.
