Standarde të dyfishta dhe deklarata kontradiktore i janë dukur Izet Mexhitit, veprimet e fundit të kreut të integristëve Ali Ahmeti. Në “Click Plus” mbrëmë pohoi se edhe në të kaluarën ka pasur lëshime të mbledhjes së Këshillit të përgjithshëm të BDI-së por, nuk ka pasur sanksione, e si shembull përmendi Talat Xhaferin.
“Ajo që më bën më shumë përshtypje, e kam ndjekur me vëmendje deklaratën e z.Ahmetit i cili në hyrje të mbledhjes dhe ishte pyetja nga gazetari juaj… ku ne nuk kemi qenë të ftuar… a është në rend dite përjashtimi dhe ai deklaron që nuk ka në rend dite përjashtim, por ka konsulta për organizimin e degëve. Të nesërmen del komunikatë nga shërbimi për informim edhe pse në BDI nuk ka shërbim për informim por ka zëdhënës, ku përveç tjerash përmendet përjashtimi nga partia. Vetë përjashtim!”, tha Izet Mexhiti, nënkryetar i BDI-së.
Sipas Mexhitit janë kontradiktore deklaratat e Ahmetit me deklaratën e sekretarit të përgjithshëm të partisë Faton Ahmeti. Ky i fundit të hënën tha se vet kryetari i ka thënë që në mbledhjen e fundit të mos e ftojë Grupin e Zjarrit.
“Në bazë të rregullores kryetari Ahmeti është ai i cili i fton mbledhjet ndërsa mua si sekretar i përgjithshëm më bie hisja e organizimit të mbledhjeve dhe nga kryetari më është thënë që këtë grup nuk duhet ta ftoj unë por kryetari për mbledhjen dhe do t’i njoftojë se nuk do të ftohen në këtë mbledhje”, tha Faton Ahmeti, sekretar i përgjithshëm i BDI-së (23.05.2023).
Mexhiti tha se po pret që t’i ftojë vetë kreu i partisë Ahmeti e tua thotë arsyen e përjashtimit me argumentim, e po të marrin vesh se do të thirret ndonjë mbledhje, Mexhiti tha se do të shkojnë edhe pa ftesë.
“Nëse ju vjen keq atyre, ju dhemb shpirti që jemi vetë larguar do të shkojmë t’ju tregojmë që ne këtu jemi, nuk jemi larguar. Por nëse duan të na përjashtojnë duhet të na e thonë”, pohoi Izet Mexhiti, nënkryetar i BDI-së.
Nënkryetari i BDI-së, Mexhiti, përfundoi se për përjashtimin e tyre nga organet e partisë mund të vendosë vetëm kongresi sepse janë të zgjedhur nga vetë ky organ.
