Mexhiti nuk tërhiqet / I qëndron idesë për formimin e një lëvizjeje të re politike

TË FUNDIT

Anëtarët e “grupit të zjarrit” nuk i kanë ndarë rrugët përfundimisht, por kanë mendime të ndryshme sa i përket ndarjes përfundimtare nga BDI dhe formimin e një lëvizje të re. Kështu deklaroi për TV21 Izet Mexhiti, duke komentuar fotografinë e publikuar nga ai, mbrëmë në Gostivari, ku nuk u panë të shoqëruar nga Blerim Bexheti, Musa Xhaferi e Nevzat Bejta.

“Me shokët bisedojmë, kontaktojmë, por kemi dallime. Ne kësaj pune kur i kemi hyrë, i kemi hyrë me gjithë mend dhe jo për të lozur. Kemi shprehur vërejtjet dhe kritikat tona ndaj asaj që ka qenë intuitë dhe ndaj asaj që e kemi parë që ky ekzekutiv po ia humb rrugën BDI-së dhe po e largon nga qëllimet dhe idealet. Për të qenë të sinqertë, as unë dhe as shokët për rreth nuk e kemi paraparë që BDI ka shkuar kaq larg”, tha Mexhiti.

Mexhiti thotë se të pasurit mendim ndryshe brenda BDI-së ka pasur pasoja politike. Thekson se të gjithë që kanë menduar si “grupit i zjarrit” janë të shkarkuar nga kryesia qendrore, nga degët e BDI-së dhe vlerëson se tash është momenti që o të vazhdohet beteja, o të dorëzohen dhe shkojnë në shtëpi. E pikërisht vizita në Gostivar dhe emërimi i koordinatorëve, Mexhiti thotë se është porosi që e vazhdon fuqishëm rrugën e nisur.

“Këta 3 shokë mendojnë se mund të funksionojnë ende si fraksion brenda BDI-së, ndërsa unë dhe tjerët, Visari, ata që ishin mbrëmë në Gostivar po edhe në qytetet tjera mendojmë se është paguar çmim, ka viktima politike që kanë paguar çmim dhe janë mbyllur gjitha dyert brenda BDI-së kështu që duhet të hapim shtigje të reja dhe seriozisht po mendojmë për hapjen e një lëvizjen të re politike e cila do të artikulon dhe do të jetë zëri opozitar i shqiptarëve në Maqedoni”, tha më tej Mexhiti.

Mexhiti shprehet optimist se edhe Xhaferi , Bexheti dhe Bejta, duke e parë situatën politike, rrethanat politike, do të binden që hapësira brenda BDI-së është shterur dhe do të bashkëngjiten në këtë rrugëtim në të cilin kanë filluar bashkërisht që në fillim. Përndryshe nga vizita në Gositvar, unanimisht është vendosur që për koordinator për Gostivarin do të jetë ish- kryetari i degës së Gostivarit, Bashkim Hasanin, koordinator për Çairin për zonën 1 do të jetë Visar Ganiu dhe Besim Koka për zonën zgjedhore 2.