Bullgaria nuk dëshiron ndërmjetësim në bisedimet me Maqedoninë, Petrova-Çamova: Është e pazakontë që BE-ja të ndërmjetësojë mes një shteti anëtar dhe një vendi kandidat

TË FUNDIT

Bullgaria nuk sheh nevojë për një ndërmjetës në bisedimet me Maqedoninë dhe konsideron se çështjet që lidhen me procesin e integrimit evropian tashmë janë përcaktuar në nivel evropian. Këtë e deklaroi ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Velislava Petrova-Çamova, duke iu përgjigjur një pyetjeje të deputetëve në Kuvendin bullgar.

“Është e pazakontë që të ketë ndërmjetës mes një shteti anëtar të Bashkimit Evropian dhe një vendi kandidat për marrëveshje që nuk kanë karakter bilateral, por janë miratuar dhe aprovuar edhe në nivel evropian. Ky është qëndrimi shumë i qartë i Bullgarisë”, deklaroi Petrova-Çamova.

Ajo theksoi se Sofja pret që Maqedonia të tregojë gatishmëri për ndryshimin e narrativit politik ndaj Bullgarisë.

“Është e rëndësishme të shohim nga Republika e Maqedonisë së Veriut gatishmëri për një narrativ politik që nuk është antibullgar, i cili deri më tani ka qenë dominues”, tha Petrova-Çamova.

Sipas saj, dialogu mes dy vendeve do të jetë i vështirë përderisa nuk ndryshon kjo qasje. Ajo i hodhi poshtë si të pabazuara pretendimet se Bullgaria mund të vendosë kërkesa shtesë ose të ndryshojë qëndrimin e saj të deritanishëm.

“Në dialogun me Republikën e Maqedonisë së Veriut, qeveria dhe Ministria e Punëve të Jashtme udhëhiqen nga konsensusi i vitit 2022 dhe vendimet e mëvonshme të Kuvendit bullgar, të cilat e përcaktojnë qartë qëndrimin e Bullgarisë”, theksoi ministrja.

Deklarata vjen pas propozimit të kryeministrit të Maqedonisë, Hristijan Mickoski, që përfaqësuesit e BE-së të përfshihen si ndërmjetës në bisedimet me Sofjen. Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Timço Mucunski, kishte deklaruar më herët se dialogu për çështjet e hapura gëzon mbështetjen e institucioneve evropiane dhe vendeve anëtare.