Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti ka njoftuar se është arrestuar njëri nga tifozët që shprehën gjuhë të urrejtjes në Kumanovë, njofton TV21.
“Pas thirrjeve fashiste dhe anti-shqiptare që u dëgjuan ditë më parë në Kumanovë, gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, sot vjen një zhvillim pozitiv: është arrestuar një nga tifozët përgjegjës për këto thirrje të papranueshme.
Përgëzoj institucionet për reagimin e shpejtë dhe punën efektive në këtë rast. Mesazhi është i qartë: gjuha e urrejtjes nuk do të tolerohet”, tha Mexhiti
Ai gjithashtu ka bërë thirrje që të mbështetet sonte Shkëndija, por pa gjuhë të urrejtjes.
“Me këtë lajm të mirë, sot i urojmë suksese Shkëndijës në ndeshjen kundër Qarabagut!
E gjithë vëmendja jonë është te krenaria e futbollit, Shkëndija. Uroj me zemër që të dilni me kokën lart nga kjo përballje dhe të vazhdoni të na përfaqësoni denjësisht në arenën ndërkombëtare.
Ftoj tifozët që bashkërisht ta mbështesim Shkëndijën me zemër, gjithmonë me kulturë sportive dhe dinjitet kombëtar. Sonte, ta tregojmë atdhedashurinë me sjellje shembullore, jo me gjuhë urrejtjeje ndaj askujt”, tha më tej Mexhiti.
