Para disa ditëve deputeti Izet Mexhiti në një tubim me Grupin e Zjarrit u bëri thirrje Talat Xhaferit, Fatmir Besimit dhe Artan Grubit që t’i mbajnë duart sa më larg kazinove. Ai tha se ata po mundohen që në mënyrë të fshehtë ta kalojnë ligjin për lojërat të fatit.
“Dhe unë këtu, prej sot, d.m.th, në këtë këshill vendor do të shfrytëzojë rastin edhe Talat Xhaferit edhe Fatmir Besimit dhe posaçërisht Artanit, duart lartë nga kazinotë, duart lart nga ligji për lojërat e fatit. Neve nuk kemi parë deri tash alarm drejtpërdrejt , ambasadori europian e thotë publikisht, mos e keqpërdorni flamurin europian për ta çuar fshehtë ligjin për lojëra të fatit, ambasadori austriak edhe më i drejtpërdrejt, por Artani nuk dëgjon”, theksoi Izet Mexhiti, nënkryetar i BDI-së.
Për këtë mbrëmë u përgjigjen Xhaferi dhe Grubi. Xhaferi tha se me shpirt po punojnë që kazinotë dhe bastoret t’i largojmë nga shkollat dhe xhamitë. Ndërsa Grubi tha se ligji ëpr t’i larguar kazinotë është në kuvend dhe le ta votojnë.
“Enkas na u bë kërkesa për të hequr duart nga kazinotë, nga bastoret, mua personalisht, Artan Grubit dhe Fatmir Besimit. Në emër të të treve mund të them që jo që duhet t’i kemi larg nga bastoret, nga kazinotë, por me shpirt jemi duke punuar që të vëmë në funksion kërkesën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut që kazinotë dhe bastoret të largohen nga vendet ku edhe ishte zotim i BDI-së në zgjedhjet paraprake”, theksoi Talat Xhaferi, anëtar i kryesisë së BDI.
“Ma përkujtoi kryetari i Kuvendit ligjin për lojërat e fatit për ata që nuk e kanë kuptuar … Kemi dorëzuar ligj të miratuar në Qeveri për t’i larguar kazinotë dhe bastoret 500 m nga shkollat dhe nga xhamitë. Mos dilni me i mbrojt kazinotë dhe bastoret, por votojeni ligjin se në Kuvend e keni”, pohoi Artan Grubi, BDI.
Propozim ndryshimet në ligjin për lojërat e fatit ndër tjera, parashohin kushte të reja dhe më të ashpra për marrje të licencës për organizimin e lojërave të fatit, përkatësisht, këto objekte do të duhet të jenë së paku 500 metra larg shkollave dhe objekteve fetare.
Propozim ligji për lojërat e fatit nuk mbështet as nga VMRO-DPMNE-ja. Ndërkaq Lëvizja Antibixhoz me ngulm kërkon miratimin e këtij ligji për shkak se nga ana tjetër Shoqata e Lojërave të Fatit dhe ajo e bastoreve kanë kërkuar tërheqjen e këtij propozimi/ligji i cili sipas tyre do të likuidojë industrinë legale dhe do të prodhojë biznesin në të zezë me këto lojëra.