Mexhiti i prerë: Gurorja në Straçincë nuk do të hapet!

TË FUNDIT

Zëvendëskryeministri i parë, njëherë edhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti njoftoi se tashmë ka dhënë vendim negativ për hapjen e gurores në Straçincë, përcjell TV21. Shtesë, Mexhiti siguron që koncesioni do të anulohet në mbledhjen e ardhshme të qeverisë.

“Mbrëmë, pak para mesnatës, vizitova fshatin Straçincë ku u takova me banorët që po protestonin kundër hapjes së gurores në këtë zonë. Me këtë rast, i njoftova se si Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor kam dhënë vendim negativ për kërkesën e hapjes së gurores. Prej kohësh kam ndjekur shqetësimet e tyre dhe i kemi shqyrtuar me kujdes të gjitha raportet dhe analizat e institucioneve kompetente. Ato treguan qartë se aktiviteti i gurrores do të sillte pasoja të rënda, si rrezikun nga vërshimet dhe dëmtimin e rëndë të shëndetit e jetesës së banorëve. Për këtë arsye, vendimi im është i prerë: GURORJA NUK DO TË HAPET! Hapi i radhës është anulimi përfundimtar i koncesionit, që do të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë. Ky vendim do ta mbyllë përfundimisht këtë çështje dhe do ta vendosë drejtësinë në anën e banorëve. Gjithmonë do të jem në anën e popullit, në anën e arsyes!”, ka shkruar Mexhiti.