Mexhiti: E vështirë të jesh aty ku është Apasiev! Sela: Ky PR i intergristëve s’ka kuptim, Levica s’ka fuqi për të bërë ndryshime

TË FUNDIT

Në Kuvend erdhën edhe deputetët e koalicionit qeveritar.

Deputetët e BDI-së vazhdojnë ta quajnë gabim të madh uljen e opozitës shqiptare në tavolinë me “Levicën” e Apasievit.

“Do të ishte gabim shumë i madh për çdo deputet shqiptar që të ulet në tavolinë aq anti-shqiptare, aq anti-amerikane, anti-progresive. Mendoj se edhe deklarate e Skender Rexhepit ishte në atë frymë, pasi siç tha edhe ai, kanë qenë të manipuluar, kinse kanë siguruar shumicë të re parlamentare, por pa dy deputetët e “E Majta”, dhe unë mendoj që për çdo deputet shqiptar do ishte shumë e vështirë që të hedh votën dhe të bëhet pjesë e asaj tryeze”, tha Arben Ziberi – deputet i BDI-së.

Deputeti Izet Mexhiti komentoi edhe qëndrimin e deputetit të Alternativës Skender Rexhepi.

“Është e qartë deklarata e tij. E kuptoj. Bashkëpunimi me “E Majta” është e vështir për çdokënd që ta arsyetojë para partnerëve tanë ose votuesve”. 

-A është e mundur të ruani këtë shumicë? 

“Pse jo”, u shpreh Izet Mexhiti – deputet i BDI-së.

Por Lideri i ASH-së Ziadin Sela tha se ky është vetëm një PR i BDI-së dhe një mënyrë shumë e ulët për të bërë politike. Sipas tij Apasiev nuk ka forcë politike për të ndryshuar asnjë vendim të rëndësishëm të shtetit.

“Krejt kjo është një PR i BDI-së që mendoj se është e pakuptimit. Hajde ta themi të vërtetën. Flitet për një parti politike e cila është formuar tani. Ka vetëm 2 deputetë. Nuk janë mundësi tra heqin Maqedoninë nga NATO, as nuk janë në gjendje ta tërheqin pengojnë përdorimin e gjuhës shqipe dhe në asnjë mënyrë nuk munden ta tërheqin njohjen e Kosovës si shtet i pavarur”, potencoi kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

Nga VMRO DPMNE thonë se e vlerësojnë  lartë punën e deputetit Rexhepi dhe se janë të bindur se ai do të votoj mocionin e mosbesimit.

 “Ajo që është me rëndësi, nuk janë nënshkrimet por votat. Nga ajo që di apo nga ajo që kam dëgjuar, është se zotëri Rexhepi do të votojë për mosbesim të kësaj Qeverie LSDM-BDI”, theksoi Aleksandar Nikollovski – deputet i VMRO-DPMNE-së.

Reagimet për Apasievin nisën të premten kur u shfaq fotografia në të cilën në tavolinë u panë bashkë përfaqësues të ASH-AAA, BESA, VMRO-DPMNE dhe Levica.