Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka takuar sot në ambasadorin e Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov. Sipas njoftimit të presidentit Meta në takim u diskutua situata e tensionuar në Ukrainëdhe perspektivat e një konflikti të hapur me Rusinë.
“Ndamë shqetësimin e përbashkët për kërcënimin e një agresioni të mundshëm rus ndaj Ukrainës mike, në shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare. U informova nga Ambasadori dhe përgëzova për përpjekjet e vendit të tij për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet nëpërmjet negociatave dhe në rrugë paqësore, përfshi në kuadër të formateve shumëpalëshe ekzistuese”, ishin fjalët e presidentit shqiptar të shpërndara në një postim në profilin e tij.
Meta siguroi ambasadorin se “Shqipëria, edhe si vend anëtar i NATO-s dhe anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, është në krah të Ukrainës në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të saj”.
Disa ditë më parë, Kremilini kishte dërguar kancelarive perëndimore, ndër të cilave edhe Tiranës zyrtare, një letër ku nder të tjerat i kërkonte atyre të mbanin një qëndrim mbi statusin e NATO-s, që sipas rusëve po tejkalon karakteristikat e saj mbrojtëse në konfliktin me Ukrainën si dhe në operacionet e fundit ushtarake në Europën Lindore, që Kremlini sheh si një kërcënim të drejtpërdrejtë.
