Meta i bëri thirrje opozitës së bashkuar të kontribuojë në përgatitjen e reformës zgjedhore në Shqipëri

TË FUNDIT

Presidenti shqiptar Ilir Meta sot e theksoi rëndësinë që duhet ta jep opozita e bashkuar me kontributin e saj në Këshillin Politik për përgatitjen e reformës zgjedhore dhe të tregojë vendosmëri për rikthimin e legjitimitetit të të gjitha institucioneve përmes zgjedhjeve të drejta dhe të lira.

Siç informojnë nga kabineti i tij, Meta e theksoi këtë në takimin e paradites me liderët e partive politike që e përbëjnë opozitën e bashkuar të udhëhequr nga Partia Demokratike e Lulzim Bashës.

Opozita e ngriu pjesëmarrjen e saj në miratimin e reformës zgjedhore e cila është një nga 15 kushtet për fillimin e negociatave me BE, pas rrënimit të ndërtesës së Teatrit Kombëtar.

“Presidenti Meta, gjithashtu, shprehu shqetësim të thellë për ngjarjen e fundit të prishjes së paligjshme të Teatrit Kombëtar duke e quajtur atë një provokim për demokracinë, por edhe për opozitën e bashkuar dhe natyrisht për vlerat evropiane”, qëndron në kumtesën e kabinetit presidencial.

Shtohet se presidenti Meta i informoi edhe për përpjekjet e tij dhe propozimin për një platformë konkrete gjithëpërfshirëse për integrimin evropian dhe e falënderoi opozitën për angazhimin dhe sugjerimet për tejkalimin e situatës së vështirë me pandeminë me Kovid-19.

Pas takimit, përmes Tuiterit u dakordua edhe lideri i demokratëve, Lulzim Basha.

“Gjatë takimit të koalicionit opozitar me presidentin Meta, ne e diskutuam krizën dhe si të dalim prej saj,” shkroi Basha, duke shtuar se “shqiptarët do të shpëtohen kur të bashkohen kundër së keqes – Ramavirus, do të shkojnë deri te kutitë votuese me të gjitha garancitë për zgjedhje korrekte edhe të lira./MIA