Mësimdhënësit s’i kanë marrë pagat për muajin mars! Reagojnë sindikatat, Ademi: Do t’i marrin sot ose nesër

TË FUNDIT

Ka pesë ditë që arsimtarëve në Maqedoni të Veriut u janë vonuar pagat.

Kjo ka ngjallur edhe reagimin e sindikatave të arsimit.

Sqarim publik për këtë çështje, nëpërmjet TV21, ka kërkuar edhe sot kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedelkov.

“Ne dolëm me reagim gjatë ditës së djeshme, për shkak se dje ishte data 15. Kurse, sipas ligjit për marrëdhënie të punës, përfshirë datën 15 duhet të paguhet pagat në të gjitha fushat që i mbulon SASHK-u. Për fat të keq ajo dje nuk ka ndodhur dhe ne reaguam”,tha Jakim Nedelkov, Kryear i SASHK-ut.

Kryesindikalisti Nedelkov ka kërkuar edhe pagesë të shtesave të mësimdhënësve, të cilat merren nga arsimtarët sipas nivelit të përvojës që e kanë.

“Një apel deri te ministri i Arsimit, që në kuadër të kompetencave të tija të veprojë në Qeveri dhe të miratohen ndryshimet dhe plotësimet e dekretit që të paguhet edhe pagesat shtesë që janë për mësidhënësit dhe punonjësit tjerë në arsim”, tha Jakim Nedelkov, Kryear i SASHK-ut.

Kjo çështje është diskutuar sot në Shtabin e krizës dhe në mbledhjen urgjente të Qeverisë. Siç njoftoi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi është bërë edhe ndryshimi i dekretit.

Ademi premtoi se gjatë ditës së sotme dhe nesërme pagat do t’i kenë në konto punonjësit arsimor.

“U bë ndryshimi në dekretin që ka të bëj me me pagesën, shtojcën dhe kompensimeve të të gjithë të punësuarve në sektorin publik. U miratua ky dekret që përbënte pengesë për pagesën e pagave të punonjësve në arsim dhe se gjatë ditës së sotme dhe të nesërme do të duhet të bëhen pagesat”, tha Arbër Ademi, Ministër i Arsimit.

Krysindikalisti Nedelkov është i shqetësuar edhe për disa informacione që qarkullojnë në publik, se do të ketë shkurtim të pagave edhe të punonjësve arsimor. Por, kjo çështje siç tha ministri Ademi as nuk është diskutuar deri tash. Ai premtoi se pagat në arsim nuk do të preken fare.

Përndryshe, edhe pse procesi arsimor është ndërprerë në shkolla, i njëjti është duke u zhvilluar në rrugë elektronike, në distancë. Tash për tash në rrjedhë është edhe notimi i nxënësve, kurse viti shkollor në të gjitha variantet do të përfundojë më 10 qershor.