Mesdhe: 800 të vdekur pas tragjedisë të së dielës

TË FUNDIT

Frika për qindra të vdekur, si pasojë e përmbysjes së anijes me refugjatë në Detin Mesdhe, u konfirmua sot nga Komisariati i Lartë i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, që raportoi për së paku 800 të vdekur.
Në aksidentin detar që ndodhi të dielën në Detin Mesdhe kanë vdekur 800 persona, kanë kumtuar sot në Sicili përfaqësuesit e Komisariatit të Lartë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, UNHCR dhe Organizata Ndërkombëtare për Migracion.
Zëdhënësja e UNHCR-së në Itali, Karlota Sami, theksoi se tani lirisht mund të thuhet se si pasojë e tragjedisë kanë vdekur 800 persona.
Pas bisedave me 27 personat që i mbijetuan tragjedisë, këtë e konfirmoi edhe zëdhënësi i Organizatës Ndërkombëtare për Migrim, Flavio Di Gjakomo.
Sami deklaroi se refugjatët ishin nisur të shtunën nga kryeqyteti i Libisë, Tripoli dhe në anije kanë qenë mbi 800 persona, në mesin e tyre edhe shumë fëmijë. Në anije kishte refugjatë nga Siria, Eritrea dhe Somalia.
Policia italiane ndërkohë ka kumtuar se ka arrestuar dy persona të mbijetuar nga anija, një shtetas i Tunizisë dhe tjetri shtetas i Sirisë, për të cilët besohet se ishin kapiteni dhe ndihmësi i tij të anijës së përmbysur.
Ministri italian i Infrastrukturës, Graciano Delrio deklaroi se ata janë arrestuar, nën dyshimin për trafikim me qenie njerëzore.
Por tragjedia e së dielës si duket nuk po ndal përpjekjet e refugjatëve për të arritur në brigjet e Evropës, pasi që roja detare e Italisë kumtoi se ka ndalur sërish një anije, me 446 persona në bord.
Imigrantët u shpëtuan në ujërat në afërsi të brigjeve të Kalabrisë./21 Media