“Planet të realizohen në praktikë dhe jo vetëm në letër”, kërkoi përfaqësuesi i Konventës së Bernës gjatë vizitës në rajonin e Ohrit dhe Strugës ku pa nga afër përmbushjen e rekomandimeve të UNESKO-s. Andrej Shovinç hapur u tha dy komunave buzë liqenit se gjërat nuk po shkojnë siç duhet, ai madje mbeti i tronditur nga ndërtimet pa leje rreth liqenit, sidomos në Strugë.
https://www.youtube.com/watch?v=WPIkAAVfYto
“Gjendja në Strugë është edhe më e vështirë, aty ka shumë ndërtime pa leje, do të mundohemi të shpjegojmë nesër me kryetarin e komunës së Strugës se sipas UNESCO-s dhe Konventa e Bernës mund të ketë zhvillim dhe turizëm por për të mos rrezikuar trashëgiminë nuk mund të ketë turizëm masiv me çdo kusht. Mund të ketë një kompromis, por jo me këtë ritëm, kjo është katastrofë dhe nuk duhet të ndodhë. Në Strugë do të propozojmë që trashëgimia botërore të menaxhohet si duhet sipas rekomandimeve.”- deklaroi Andrej Shovinç, përfaqësues nga Konventa e Bernës.
Këto fjalë Shoviq i tha dje, po edhe pse kishte planifikuar t’ia thoshte sot kryetarit të Stugës Ramiz Merko, ai nuk u pa askund. Edhe takimi me përfaqësuesit e UNESCO-s ishte paraparë prej kohësh, Merko parapëlqeu të qëndrojë në Tetovë për t’u takuar dhe fotografuar me presidenten e Kosovës Vjosa Osmanin.
E sa i takon rekomandimeve të UNESCO-s për Ohrin, Shovinç i tha kryetarit të këtij qyteti se gjithçka i kanë në rregull, por vetëm në letër, ndërsa si vërejtje prioritare përmendi moçalin Studençishta, ndërtimet pa leje gjatë vijës së liqenit dhe mbrojtja e liqenit. Kërkuan të ndalet ndërtimi i marinës në moçalin Studençishta sepse në të kundërtën për dy-tre vjet e njëjta do të zhduket.
“Dikush mendon nëse ndryshohet ligji i mbrojtjes do të zgjidhet problemi, por nuk zgjidhet. Problemi do të zgjidhet kur të vijë deri tek implementimi i ligjit si fillim do të bëhet si plan, problem do të ketë edhe në ndryshimin e terrenit, duhet ta dimë se ky rajon moçalin Studençishta këneta do të zhduket për 2-3 vjet nëse nuk ndalet urbanizimi i paligjshëm. Ideja e ndërtimit të një marine duhet të refuzohet plotësisht sepse është e dëmshme”- tha deklaroi Andrej Shovinç, përfaqësues nga Konventa e Bernës.
Kryetari i Ohrit Kiril Pecakov tha se janë munduar që të përmbushin disa nga rekomandimet që ishin lënë pas që para 30 vitesh.
“Ato ishin ndërtimet pa leje, ambienti jetësor, moçalin Studençishta kishte theks të veçantë dhe disa punë të tjera për të cilat diskutuam, ndërsa si fokus ishte edhe plani urbanistik Goricë-Veri, këta ishin disa nga punët dhe në vendngjarje do të kenë mundësi ta shohin situatën reale dhe në të ardhmen të shohim se çfarë mund të bëjmë rreth saj”- tha Kiril Pecakov, kryetar i komunës së Ohrit.
Përfaqësues të Konventës së Bernës dhe UNEKSO-s katër ditë do të qëndrojnë në Ohër dhe në Strugë për të parë nga afër gjendjen dhe hapat e ndërmarrë nga dy komunat, ndërsa në nëntor do të jetë takimi i radhës ku do të ketë edhe rekomandime të reja dhe një raport të ri se çfarë është përmbushur e çfarë jo nga 19 rekomandimet e dhëna vite më parë nga UNESCO.
