Mercedesi ende në garazhet e Qeverisë! Sa vetura të ndihmës së shpejtë ka në një “Tank”?

TË FUNDIT

Një thirrje për donacione nga ana e Drejtorit të spitalit të Strumicës e tensionoi atmosferën dhe inkurajoi polemikë mes politikanëve, por edhe qytetarëve. Maqedonia ka mungesë edhe të kuadrit mjekësor, por edhe të pajisjeve.

Kryeministri Zoran Zaev dikur e dinte se si mund tw zgjidhet ky problem.

“Do ta kthejmë tankun, Mercedesin e Gruevskit prej 600 mijë eurove dhe me paratë e vlerës së tanishme do të blejmë vetura për ndihmën e shpejtë për klinikat e Maqedonisë. Le të jetë ky simboli i kohës së re, ku do t’i vëmë fund shpenzimit të papërgjegjshëm dhe të vendosim politika sociale në përputhje me kërkesat e qytetarëve”, u shpreh Zoran Zaev – kryeministër i RMV-së. (08.10.2017)

Por asgjë nga kjo. Kanë kaluar më shumë se 3 vjet, ndërsa mercedesi ende gjendet në garazhet e Qeverisë. Edhe pse kishte vendim për shitje, megjithatë Qeveria ndërroi mendje.

“Sollëm vendim ta pezullojmë shitjen e Mecedesit me qëllim që të sigurohemi se askush nuk do ta shfrytëzojë që të shmang dhënien e përgjegjësisë në proceset gjyqësore ku ky automobil është provë materiale”, tha Mile Boshnjakovski – ish-zëdhënës i Qeverisë. (06.03.2018)

Përgjegjësisë tashmë iu shmang ish kryeministri Nikolla Gruevski i cili po “kënaqet” në azil në Hungari. Në burg përfunduan Gordana Jankullovska dhe Gjoko Popovski. Procesi gjyqësor përfundoi andaj po e rikujtojmë kryeministrin Zoran Zaev në premtimin e dhënë.

“Pas aktgjykimit në Gjykatën supreme, lënda ka përfunduar dhe tani mund të bëhet ekspertizë se sa para mund të shitet dhe të sillet vendim në përputhje me këtë se çfarë do të bëhet. Përndryshe presim 60 vetura të ndihmës së shpejtë si donacion në fillimin e vitit 2021”, deklaroi Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Sipas hulumtimit të TV21, në tregun gjerman momentalisht mercedes i tillë me 90 mijë kilometra të kaluara kushton 315 mijë euro.

Por, në ekspertizën e fundit që është bërë, mercedesi është vlerësuar me 230 mijë euro, ndërsa në vitin 2018 kërkohej edhe kompani për mirëmbajtjen dhe servisimin e të njëjtit, ndërsa çmimi ishte 27 mijë euro pa TVSH.

Përndryshe një veturë e ndihmës së shpejtë kushton rreth 40 mijë euro, kështu që i ashtuquajturi “tanku” mundet t’i sjell shtetit 5 apo gjashtë vetura të ndihmës së shpejtë.

Sipas kryeministrit Zaev, në fillim të vitit 2021 presim donacion prej 60 automjete të ndihmës së shpejtë, ndërsa deri atëherë shteti në kohë të pandemisë ashtu siç di do të luftojë me 183 vetura të ndihmës së shpejtë të cilat janë në dispozicion të 47 institucioneve shëndetësore.

Vjetërsia mesatare e tyre është 11 vjet, përkatësisht mesatarisht janë prodhuar në vitin 2008. 13% e automjeteve janë prodhuar në shekullin e kaluar, përkatësisht para vitit 2000.