Ministri i Mbrojtjes, së Kosovës, Armend Mehaj ka reaguar pas videos ku shihet se në një shtëpi të pleqve në Pejë, është maltretuar një e moshuar nga një anëtare e stafit.
“Për fat të keq, ajo që pamë sot është që e keqja vjen e maskuar në forma të ndryshme, e përtej imagjinatës sonë, arriti të zë vend maskuar edhe në mantelin më fisnik, infermieres që verbërisht çdokush mund t’ia besonte jetën e prindërve e fëmijëve, pa qenë i vetdijshëm se ekzistojnë të tillë persona që nuk e kanë aspak problem ushtrimin e dhunës të pakursyer ndaj kujdo, e shumëfish më rëndë përjetohet kjo ngjarje kur kuptojmë se dhuna po ushtrohet ndaj një nëne të dëshmorit që dha jetën që këta rinj të ushtrojnë të lirë profesionin e tyre”, ka shkruar Mehaj.
E moshuara, viktima e dhunës në Shtëpinë e Pleqve është nëna e një dëshmori.
“Taulanti teksa po luftonte nuk e kishte menduar se një ditë nëna e tij do të keqtrajtohej në këtë mënyrë, se një i ri nuk do të dinte vlerën e lirisë, nuk do të njihte respektin ndaj të moshuarve dhe obligimin e shumëfisht që e kemi t’i shërbejmë atdheut, qytetarëve tanë, e mbi të gjitha nënave heroike që rritën burra e gra trima për t’ia falë atdheut”, ka thënë ai.
Ministri kërkoi që “urgjentisht duhet hetuar e dënuar ky rast, jo vetëm protagonistja kryesore, por dhe të gjithë të tjerët që bëjnë sehir përderisa ushtrohet dhuna”.
Mehaj tutje bëri thirrje që të lexohet e rilexohet kjo fjali e betimit të Hipokratit “Do të di se në mjekësi, sikurse ka shkencë, ka dhe art, dhe që ngrohtësia, simpatia dhe mirëkuptimi mund të tejkalojnë thikën e kirurgut ose ilaçin e kimistit”.
