Problemet me përmbaruesit përbëjnë numrin më të madh të parashtresave nga drejtësia që arrijnë në zyrën e Avokatit të Popullit. Për këtë shkak avokati i popullit Naser Zyberi ka ngritur nismë për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për marrëdhëniet obligative dhe të Ligjit për përmbarim. Kërkon që kamata ndëshkuese të mos jetë më e lartë se borxhi bazë.
“Kërkojmë që propozuesi i autorizuar pra Qeveria të bëjë ndryshim dhe të shton një nen 268-b i cili do të thotë se “Interesi ndëshkues do të ndalojë të rrjedhë kur shuma e interesit te arritur ndërsa të papaguar do ta arrijë shumën e borxhit kryesor”. Si rrjedhojë e kësaj duhet të bëhen ndryshime edhe në Ligjin mbi përmbarimin ku është e nevojshme që të shtohet nen i ri 18-a në të cilin do te thuhet se: “Gjatë procedurës së përmbarimit kur shuma e interesit të arritur ndërsa te papaguar do të arrijë borxhin kryesor, përmbaruesi do të ndalojë me llogaritjen dhe pagimin edhe të interesit ndëshkues ligjor”, tha Naser Zyberi, Avokat i Popullit.
Avokati i Popullit nevojën për ndryshime e ilustroi me disa shembuj në të cilët qytetarëve u ngarkohet borxh me ndalesë prej një të tretën ose një të pestën e pagave ose pensioneve.
“Përmbarimi fillon në vitin 2013, duhet të paguhet kamatë që nga viti 2010, kjo zbatohet me ndalesë te 1/3 së pensionit. Borxhi kryesor është 371.367 denarë – deri në vitin 2022 kur pala iu drejtua avokatit të popullit, ose për nëntë vite janë arkëtuar 885.138 denarë, nga të cilat 783.628 janë në emër të interesit, respektivisht interesit ndëshkues”, deklaroi Naser Zyberi, Avokat i Popullit.
Iniciativa është dorëzuar në Qeveri, ndërsa Zyberi pret që ekzekutivi por edhe deputetët ta shqyrtojnë seriozisht kërkesën.
